Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër ka dhënë masën e sigurisë për nëntë të akuzuarit nga policia rajonale dhe organi i akuzës, si përgjegjës të trazirave të ndodhura në Lazarat mesjavën e shkuar.
Nga të arrestuarit, pesë prej tyre kanë qëndruar pas qelisë, ndërsa katër të tjerët, kanë bërë diferencën në dhënien e masës së dhënë nga gjykatësja Blerta Çibuku.
Personave që iu është komunikuar vendimi i dhënë nga gjykatësja Çibuku, për “detyrim paraqitje”, kanë qenë Altin Bejko, 40 vjeç dhe Ilijaz Boci, 47 vjeç të akuzuar për kundërshtim të forcave të policisë. Ndërsa pas qelive të burgut, kanë qëndruar Çaush Kociu, Elton Gërveshi, Arnold Boci, Gurim Toti dhe Kanan Cako.
Për këta të fundit, edhe prokurori i çështjes Gjon Fusha, ka kërkuar masën e arrestit “burg pa afat”, për shkak të zgjatjes së veprimeve verifikuese në terren, që të vërtetojnë përfshirjen e tyre direkte apo indirekte në trazirat e javës që kaloi në Lazarat.
Ndërsa për dy gratë e arrestuara, Natasha dhe Marjana Mahmutaj, është dhënë masa “arrest në shtëpi”.
Ndonëse avokatët mbrojtës të nëntë të arrestuarve kanë kërkuar lirimin e klientëve të tyre në sallën e gjyqit, gjykatësja Çibuku, ka lënë pesë prej tyre pas hekurave. Avokatët e të pandehurve, janë shprehur se do të apelojnë vendimin e sotëm pasi sipas tyre, të gjithë personat e arrestuar, nuk kanë lidhje me incidentin e mesditës së mërkurë në Lazarat, raporton “Shqiptarja”.



