Personeli amerikan shkatërroi pasaportat e disa afganëve kur po largonte materialet delikate nga Ambasada amerikane në Kabul gjatë përgatitjeve për një evakuim të plotë, thotë CNN.
Është e paqartë përse u shkatërruan pasaportat, vazhdon gjiganti mediatik amerikan, por është e mundur që diplomatët të kenë dalë në përfundimin se do të kishte qenë e rrezikshme që dokumentet të binin në duart e talebanëve që më pas do t`i shenjestronin afganët në fjalë.
Megjithatë, mospasja e një pasaporte krijon komplikime të mëdha për afganët të cilët po përpiqen dëshpërimisht të largohen sa më parë nga vendi.
“Takimet e vizave dhe pasaportave në Ambasadë janë anuluar, dhe pasaportat që ishin në zotërimin e ambasadës, janë shkatërruar. Aktualisht, nuk është e mundur të ofrohen shërbime të tjera vizash në Afganistan, “thuhet në mesazhin e selisë së misionit diplomatic të SHBA-së në Kabul.
Aty theksohet më tej se “Departamenti i Shtetit këshillon të gjithë njerëzit që presin përfundimin e këtij procesi, të gjejnë strehim e të mos shkojnë në aeroport derisa të thirren, por të ndjekin me kujdes udhëzimet, raporton TCH.
Ligjvënësi republikan Tom Malinowski tha se SHBA do të gjejë mënyrën të identifikojë afganët të cilëve i është djegur pasaporta.
Aktualisht, SHBA-ja nuk po e mbron ambasadën e saj të evakuar plotësisht tashmë në Kabul, por zëdhënësi i DASH, Ned Price kujtoi se kompleksi ndodhet në një zonë të fortifikuar rëndë.
Departamenti i Shtetit nuk i është përgjigjur kërkesës për koment në lidhje me shkatërrimin e pasaportave.


