Alarmi i presidentes dhe pritjet ndërkombëtare nga liderët

PUBLIKUAR

LAJME TË TJERA

Policia konfiskoi mbi 2 mijë patentë shofer për tre muaj: Mbi 5 mijë shoferëve u janë vendosur pikët negative

Policia e Kosovës ka njoftuar se përgjatë periudhës kohore Janar – Mars të vitit...

Ambasada amerikane publikon numrat për raportimin e dhunës me bazë gjinore

Ambasada amerikane në Prishtinë ka vendosur numrat se ku mund të thërrasin viktimat e...

Alarmi i presidentes dhe pritjet ndërkombëtare nga liderët (Audio)

Ka kaluar edhe një tjetër javë pa zgjidhje të ngërçit politik, rreth formimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet e 8 qershorit.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka vazhduar konsultat me liderët partiakë, të cilët i ka alarmuar se vendi mund të zhytet në një krizë politike, financiare e buxhetore. Kurse, nga bashkësia ndërkombëtare presin se a do t’ia dalë Kosova që t’i formojë Kuvendin dhe Qeverinë e re, të cilat duhet të marrin sipër zbatimin e obligimit ndërkombëtar për themelimin e Gjykatës Speciale e cila do të trajtonte krimet e kohës së luftës në Kosovë.

Mirëpo, zgjidhjet që vazhdojnë t’i ofrojnë partitë politike janë opsione që janë dëgjuar që nga 10 qershori, dita kur ishte shpallur rezultati preliminar i zgjedhjeve.

Partia Demokratike e Kosovës, si partia e parë e dalë nga zgjedhjet, zotohet se do t’i formojë institucionet, por në dy seancat konstituive të ndërprera, nuk ka arritur të marrë më shumë sesa 44 vota kur ishte votuar kandidati i saj për kryetar Kuvendi. Kurse, blloku i partive LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje, duke u thirrur në një marrëveshje të brendshme koalicioni, po përpiqet që të marrë nën drejtim kreun e Kuvendit dhe të formojë Qeverinë e re.

Por, marrja e kreut të Kuvendit nga blloku sfidohet ligjërisht, pasi një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese ka konstatuar se ky post do të duhej t’i takonte grupit më të madh parlamentar që ka dalë nga zgjedhjet.

Megjithatë, liderët e partive të bllokut nuk kanë dhënë asnjë shenjë se do ta ndryshojnë marrëveshjen, sipas së cilës Lidhja Demokratike e Kosovës dhe lideri i saj, Isa Mustafa, do të merrte postin e kryetarit të Kuvendit, kurse lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, atë të kryeministrit.

Duke e lënë pa e përmendur Gjykatën Kushtetuese, Isa Mustafa edhe këtë javë ka mbrojtur të drejtën e shumicës parlamentare që të marrë nën drejtim institucionet e reja.

Ftesa e Mustafës që Partia Demokratike e Kosovës të tërhiqet në opozitë, për t’i lëshuar pushtetin një shumice të krijuar nga opozita, nuk është përfillur nga lideri i PDK-së dhe kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi.

Derisa mungon për një kohë të gjatë dialogu ndërmjet PDK-së dhe koalicionit paszgjedhor, një kundërpërgjigje indirekte ndaj PDK-së dhe liderit të saj kishte Ramush Haradinaj, pretendent i AAK-së dhe bllokut për kryeministër të ardhshëm të vendit.

“Ata që kanë krijuar shumicën, e fitojnë të drejtën t’i formojnë institucionet; kurse ai që ka dështuar të krijojë apo t’i takojë një shumice, atëherë duhet të reflektojë dhe të hapë krahun”, ka thënë Haradinaj.

Bllokada institucionale e ka shqetësuar presidenten Atifete Jahjaga. Pas raundit të fundit të bisedimeve, Jahjaga fillimisht i kishte rikujtuar liderët partiakë se zgjidhja duhet të arrihet ose do të shqyrtohet alternativa e fundit – ajo e zgjedhjeve të reja të parakohshme.

Analisti Ilir Ibrahimi, në një koment për Evropën e Lirë, kishte vlerësuar se gjendja e krijuar nuk po jep shumë shpresa përveç zgjedhjeve, pasi që palët nuk po lëvizin nga pozicionet.

“Nëse zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhja që do të dërgojë në themelimin e institucioneve të Kosovës, atëherë ajo (presidentja) duhet ta shikojë edhe këtë si një opsion real”, ka vlerësuar Ibrahimi.

Paralajmërimi i presidentes për zgjedhje ishte kundërshtuar më pas mjaft ashpër nga blloku i partive të koalicionit paszgjedhor. Mirëpo, Jahjaga e kishte arsyetuar këtë paralajmërim me faktin se vendi po zhytet në krizë politike, financiare e buxhetore dhe se po e rrezikon parteneritetin e ndërtuar më miqtë ndërkombëtarë. /REL/

SHIKO MË SHUMË

Policia konfiskoi mbi 2 mijë patentë shofer për tre muaj: Mbi 5 mijë shoferëve u janë vendosur pikët negative

Policia e Kosovës ka njoftuar se përgjatë periudhës kohore Janar – Mars të vitit...

Ambasada amerikane publikon numrat për raportimin e dhunës me bazë gjinore

Ambasada amerikane në Prishtinë ka vendosur numrat se ku mund të thërrasin viktimat e...

Moti sot: Me vranësira të shpeshta dhe intervale të shkurta me diell

Moti sot parashihet të jetë me vranësira të shpeshta dhe intervale të shkurta me...