Ahmeti fton të investohet në Lipjan, s’i taksojmë bizneset

PUBLIKUAR

LAJME TË TJERA

Nderohet dëshmori Shaqir Hoxha

Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti së bashku me bashkëpunëtorë gjatë ditës së...

Vjedhje e rëndë në Lipjan

Policia Kosovës ka njoftuar se ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se të dyshuar të...

Lipjani është njëra prej komunave më të përshtatshme për investime. Krahas afërsisë me kryeqytetin dhe Aeroportin, Lipjani madje nuk i ngarkon as me taksa komunale bizneset që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në këtë komunë.

Kështu thotë kryetari Imri Ahmeti, i cili gjatë një interviste për Ekonomia Online, numëron shumë përparësi të Lipjanit, ndërsa fton të interesuarit për investime.

“Arsyet janë të shumta. Në Lipjan, e para nuk kemi asnjë lloj takse për bizneset, pastaj është afërsia me Prishtinën, Aeroporti në territorin tonë dhe janë disa prerogativa që mendoj se donatorët në kuptimin e investimeve do ta kenë shumë ma lehtë të investojnë në Lipjan, sesa në komuna të tjera”, shprehet Ahmeti.

Atraktivitetin e komunës që ai drejton do ta rrisë edhe Zona Industriale, ndërtimi i të cilës, sipas tij, do të nisë së shpejti në një hapësirë prej 56 hektarësh

Gjatë intervistës, i pari i komunës së Lipjanit ka folur edhe rreth trajtimit të ujërave të zeza, për të cilën ka theksuar se duhen mjete buxhetore për ta stagnuar këtë problem me të cilin ballafaqohen.

“Një pjesë e këtij problemi është zgjidhur megjithatë, Lipjani ka nevojë shumë për investime në trajtimin e ujërave të zeza. Ende nuk e ka qyteti i Lipjanit ujëmbledhësin e ujërave të zeza dhe është një problem jashtëzakonisht i madh dhe shqetësues për komunën e Lipjanit”, deklaron Ahmeti.

Po ashtu ai ka folur edhe për buxhetin e komunës se a i përgjigjet kërkesave dhe nevojave të qytetarëve lipjanas, për papunësinë e rritjen ekonomike, bujqësinë si një sektor premtues për zhvillim ekonomik, e për faljen e borxheve…

INTERVISTA E PLOTË

imri ahmeti - lipjan2

EO: Kryetar, a mund shkurtimisht të na i përmendni tri projekte më madhore që i keni kryer gjatë mandatit tuaj?

Ahmeti: Nëse flasim për infrastrukturë, kujtoj që ka shumë projekte që ja vlen dhe që qytetarët i kanë mirëpritur. Unë do t’i dalloja projektet që kanë të bëjnë me infrastrukturën e hapësirave publike, përkatësisht me krijimin e zonave të gjelbra të qytetit të Lipjanit, me mbjelljen e drunjve që është në kuadër të këtij projekti. Projekti më madhor është ndërtimi i stadiumit të Lipjanit dhe Sheshi “Adem Jashari” që është në procedurë e sipër. Përndryshe, ka shumë projekte që mendoj që kanë pasur një ndikim shumë në mirëqenien qytetare, sidomos rregullimi i shtretërve të lumenjve… Këtë vit do të vazhdohet edhe në Gadime të Epërme.

EO: Para se ta merrni mandatin keni premtuar se do t’i asfaltoni të gjitha rrugët edhe ato të fshatrave, sa e keni përmbushur këtë premtim?

Ahmeti: Mendoj që e kemi përmbushur mbi atë që e kemi menduar realisht. Shumica e rrugëve është asfaltuar kemi hyrë në agjendën e ndërtimit të rrugëve që lidhen fshatrat në mes vete. Këtë vit po ndërtohet rruga që lidhë Dobrajën, Qilagen dhe Magurën rruga që lidhë Shalën me Bajicën. Jemi në hap të mirë me agjendën tonë dhe për të arritur synimin tonë për të asfaltuar çdo rrugë dhe rrugicë.

EO: z. kryetar, po ashtu, keni premtuar edhe ndërtimin e shkollave të reja, në fshatin Mirenë, Brus, Torinë dhe fshatin Bregu i Zi, a kanë filluar këto projekte?

Ahmeti: Jo nuk kanë filluar. E kemi futur në agjendë buxhetore dhe vitin e ardhshëm do të ndërtohet shkolla në Rubovc dhe  në Breg të zi, kurse në Mirenë jo, arsyeja është, sepse ka një numër të vogël të nxënëseve të këtij lokaliteti. Ne kemi marrë një evidentim të nxënësve që janë në fshatra dhe po mendoj që e kemi të pamundur të ndërtojmë shkollë diku që numri i nxënësve ka rënie jashtëzakonisht të madhe dhe nuk do të ketë nevojë për ndërtimin e këtyre shkollave. Në fakt mendoj që vitin e ardhshëm do të ndërtohen këto tri shkolla dhe do t’i fusim në prioritet në angazhimin tonë buxhetor.

EO: Sa janë ndihmuar bujqit nga ana e Komunës, pasi që keni premtuar se do të ndihmoni në këtë drejtim?

Ahmeti: Është një ndër sferat që duhet të bëhet akoma më shumë. Në fakt ne e kemi gjetur një buxhet të vogël të limituar në bujqësi, nga 16 mijë euro e kemi sjellë në 100 mijë euro buxhet vjetor, por ajo çka është me rëndësi për bujqit tonë, është punuar vazhdimisht dhe kemi pasur edhe konsultime dhe debate në çdo lokalitet për të asistuar dhe ndihmuar për kompletimin e dokumentacionit për të aplikuar në grante në nivel qeveritar. Është një bashkëpunim shumë i mirë, por megjithatë mendoj se kemi arritur të ndryshojmë gjendjen që e kemi pasur në raport me situatën që kemi sot. Këtë vit kemi shpërndarë rreth 100 mijë euro subvencione për bujqit dhe mendoj se do ta vazhdojmë edhe në vitin në vijim.

EO: z. kryetar, ju ndër të tjerash keni premtuar edhe lirimin nga taksat dhe tatimet në pronë për çdo biznes që punëson dhjetë punëtorë? Deri më tash sa biznese e kanë bërë një gjë të tillë që kanë përfituar nga ky premtim i juaji?

Ahmeti: Kanë përfituar të gjitha bizneset që janë në Lipjan. Jo vetëm ato që kanë një numër të punëtorëve mbi 10 punëtorë. Realisht ne të gjitha bizneset i kemi liruar nga taksa komunale dhe  asnjë biznes çfarë do qoftë, nuk ka asnjë lloj obligimi për komunën, përveç obligimeve që janë të nivelit qendror, niveli komunal nuk inkason asnjë taksë prej biznesit. Ideja ka qenë që bizneset t’i lëmë të lira të funksionojnë të gjallojnë, të gjenerojnë vende të reja të punës dhe jo të ngulfaten me taksa komunale.

EO: Flasim pak për faljen e borxheve. Sa kanë shprehur interesim qytetarët e Komunës së Lipjanit për të aplikuar për falje të borxheve? A dihet konkretisht sa kanë përfituar bizneset dhe qytetarët e Lipjanit?

Ahmeti: Jemi në fund të periudhës ku po bëhet bilanci i këtij angazhimi. Ne kemi pasur një projekt të përbashkët me DEEMOS-in ku kemi angazhuar një numër prej tetë punëtorëve në mënyrë që të angazhohen në terren dhe ka qenë mjaft aktiv ky ekip, duke shkuar gati në çdo familje për të informuar në lidhje me mundësinë e faljes së borxheve sipas Ligjit për Falje të Borxhit, dhe mendoj se ka pasur një sensibilizim të popullit lipjanas mjaftë të mirë. Se cili do të jetë bilanci financiar i faljes, jemi në fund të periudhës ku do të mblidhen këto shënime.

EO: Me çka do ta bindnit një donator të huaj që të vijë dhe të investojë në Lipjan?

Ahmeti: Ambienti i të bërit biznes është ambient i përbashkët i të gjithë nivelit të vendit. Nuk mund ta evidentojmë si diçka të veçantë Lipjanin në raport me të gjithë Kosovën. Megjithatë edhe indikatorë të tjerë janë tregues të mirë që Lipjani i ka të gjitha prerogativat për të absorbuar tek të interesuarit për investime. Arsyet janë të shumta në Lipjan, e para nuk kemi asnjë lloj takse për bizneset, pastaj është afërsia me Prishtinën, Aeroporti në territorin tonë, dhe janë disa prerogativa që mendoj se donatorët në kuptimin e investimeve do ta kenë shumë ma lehtë me investuar në Lipjan, se sa në Komuna tjera. Ne jemi në fazën finale kur presim të shpallim një tender për fillimin e punimeve në zonën industriale që këtë vit është licencuar në Kaçevë, e cila do të ketë hapësirë të mjaftueshme për akomodimin e bizneseve të interesuara për Lipjan. Janë 56 hektarë tokë të cilat sigurisht që deri në fund të vitit do të fillojnë punimet në atë zonë.

EO: Lipjani ka pasur telashe me ujërat e zeza, sa është zgjidhur ky problem?

Ahmeti: Një pjesë e këtij problemi është zgjidhur megjithatë, Lipjani ka nevojë shumë për investime në trajtimin e ujërave të zeza. Ende qyteti i Lipjanit nuk ka ujëmbledhësin e ujërave të zeza dhe është një problem jashtëzakonisht i madh dhe shqetësues për komunën e Lipjanit. Megjithatë pjesën kryesore të territorit që përfshin fshatrat prej Krahishtës atje deri në Borajë janë lidhur më një kolektor të përbashkët disa fshatra dhe në këtë pjesën tjetër të territorit të komunës sonë gjithashtu janë mbledhur ujërat e zeza me një kolektor të përbashkët, por në të njëjtën kohë kemi hyrë në pastrimin e shtratit të lumit Sitnica dhe do të vazhdojmë edhe të gjejmë mjete buxhetore për të ndërtuar një kolektor të përbashkët për të gjithë zonën.

EO: Komuna e Lipjanit sa është duke i shërbyer interesave të qytetarëve në mënyrë përgjegjëse dhe të përgjegjshme?

Ahmeti: Unë mendoj që është në nivel të kënaqshëm, ka indikatorë dhe organizata të ndryshme që pak a shumë e bëjnë një vlerësim të performancës, por vazhdimisht u bëj thirrje qytetareve, ku edhe sot u bëjë thirrje që ta kenë një qytetari aktive në kuptimin e bashkëpunimit dhe  funksionimit të përbashkët në kuptimin e evidentimit të metave dhe të dobësive që shfaqen në angazhimin e punëtorëve të Administratës, punëtorëve shëndetësor, punëtorëve të arsimit, sepse vetëm duke qenë insistues qytetarët, duke qenë mbikëqyrës në një çfarë forme do ta detyrojnë pushtetin të jetë llogaridhënës dhe të bëjë më pak gabime, do të jetë më i korrigjuar. Prandaj  qytetaria aktive ndikon dhe determinon në një qeverisje shumë më efektive dhe më të përgjegjshme. Megjithatë unë mendoj që tani për tani ka një ambient të mirë të punës dhe ka një përkushtim të mirë të stafit për t’iu përgjigjur obligimeve ndaj qytetarëve.

EO: Sa është arritur realizimi i të hyrave vetanake këtë vit deri më tani në raport me planifikimin e të hyrave,  dhe a ka rritje të të hyrave vetanake krahasuar me vitin e kaluar?

Ahmeti:  Vit pas viti nga 2014 granti i të hyrave vetanake është rritur në raport me vitin që e lëmë pas, edhe në vitin që jemi diku rreth 360 mijë euro e të hyrave vetanake është e planifikuar më shumë se sa e vitit paraprak. Dhe trendi i të hyrave vetanake në gjashtë mujorin e këtij viti është premtues, sepse ne e kemi tejkaluar edhe këtë gjashtë mujor planifikim financiar të të hyrave vetanake. Po ashtu edhe vitin e kaluar komuna jonë ka qenë ndër komunat e para dhe është shpërblyer me projekte të caktuara nga DEMOS-i për shkak të angazhimit ose përmbushjes të planifikimeve buxhetore. Ky trend i të hyrave është premtues deri në fund të vitit sigurisht do ta përmbushë planin buxhetor edhe për këtë vit edhe pse ne e kemi rritur të hyrën buxhetore në raport me vitet e kaluara.

EO: Komuna e Lipjanit renditet “Top Komuna” edhe nga UNDP përmes raportit Mozaiku i Kosovës, që tregon për kënaqshmërinë e qytetarëve ndaj kryetarit me mbi 90%, mirëpo si nga problemet më kryesore janë theksuar papunësia, mungesa e rritjes ekonomike, mungesa e energjisë elektrike, etj, çfarë po punoni në këtë drejtim?

Ahmeti: Të gjitha këto janë probleme të përbashkëta të të gjithë shoqërisë kosovare, nuk janë probleme vetëm për Lipjanin. Çështja e papunësisë është një e përbashkët që lidhet me zhvillimin ekonomik të vendit, por për këtë periudhë mendoj se ne si komunë kemi objektivat tona të realizimit të buxhetit dhe në kuptimin e lehtësirave për të gjithë ata që dëshirojnë të investojnë në Lipjan. Nuk e mendoj se vetëm Lipjani do ta zgjidhë problemin e rritjes ekonomike, apo problemin e papunësisë. Është problem i përbashkët që kërkon një strategji të nivelit qendror për të ndikuar në uljen e papunësisë.

EO: Buxheti i këtij viti për Komunën e Lipjanit sa i përgjigjet nevojave reale të qytetarëve, duke marrë parasysh që kërkesat e shumta të qytetarëve kanë të bëjnë me infrastrukturë?

Ahmeti: Kurrë nuk është mjaftueshëm edhe po ta kishte një buxhet me investime kapitale me mbi 10 milionë, sigurisht që do të ishte pak, por sigurisht që ky buxhet aq sa është, është një  buxhet që po ndërtohet bashkë më interesimin e qytetarëve. Ne jemi aktualisht në terren dhe për  çdo dit kemi tubime me qytetarët e lokaliteteve të ndryshme për të marrë interesimet e tyre se çka duhet me futur në buxhet për lokalitetet e tyre, po punojmë bashkë për t’i dhënë atë që e kërkojnë, cilin do projekt që e kërkojnë qytetarët e Lipjanit. Deri në një masë unë jam i kënaqur me mundësinë e përfshirjes së projekteve, megjithatë është çështje e vlerësimit të qytetarëve në fund a do ta vlerësojnë si të mjaftueshme apo jo.

Imri Ahmeti - lipjan1

SHIKO MË SHUMË

Nderohet dëshmori Shaqir Hoxha

Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti së bashku me bashkëpunëtorë gjatë ditës së...

Vjedhje e rëndë në Lipjan

Policia Kosovës ka njoftuar se ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se të dyshuar të...

Raportohet një rast dhunë në familje në Lipjan

Policia Kosovës ka njoftuar se viktima femër shtetase e huaj ka raportuar se ka...