
Filmi “Agnus Dei” i regjisorit Agim Sopi, prodhim i AS Film Production nga Prishtina, është përzgjedhur që të shfaqet në programet zyrtare edhe të gjashtë festivaleve të rëndësishme ndërkombëtare duke e çuar në 75 numrin e festivaleve pjesë zyrtare e të cilave ka qenë ose do të jetë.
Nga data 15 deri më 2 dhjetor, “Agnus Dei” do të shfaqet në programin zyrtar të festivalit Back in the Box Competition Film Festival – Los Angeles, USA . Po ashtu në fund të muajit dhjetor dhe në fillim të muajit janar, saktësisht nga data 26 dhjetor 2014 deri më 06 janar 2015, do të shfaqet në Manila International Film Festival – Manila, Filipine. Nga data 23 deri më 26 janar, do te shfaqet në Flathead Lake International Cinemafest – Polson Montana, SHBA. Kurse gjatë muajve të pranverës, do të shfaqet në festivalet prestigjioze të tri kontinenteve, duke filluar me Colortape International Film Festival që mbahet në Brisbane të Australisë , pastaj në festivalin më të madh kinez, Hong Kong International Film Festival – Hong Kong, për tu kthyer në festivalin e njohur Open World Toronto International Film Festival në Canada. Në muajt e pranverës, filmin “Agnus Dei” e presin edhe disa festival të tjera shumë të rëndësishme.
Gjatë udhëtimit dy-vjeçar nëpër festivale të ndryshme në të katër anët e botës, “Agnus Dei” i ka sjellur Kosovës 34 nominime dhe ka fituar 25 çmime ndërkombëtare nga të cilat 18 çmime të para. Për filmin “Agnus Dei”, janë shkruar me qindra recensione vlerësuese nëpër mediat botërore.
Vlen të përmendet se “Agnus Dei”, e ka përfaqësuar Kosovën pothuajse në të gjitha shtetet e mëdha të botës që nuk e kanë njohur Kosovën, si: Kina, India, Indonezia, Iraku, Bangladeshi, Nigeria, Rusia, Greqia, Spanja, Argjentina, Meksika, Brazili, Kili, Urugvaji, etj. Nga këto vende, filmi “Agnus Dei” ka sjellë tetë çmime të para të festivaleve më prestigjioze të këtyre shteteve /India, Malajzia, Greqia, Meksika, Indonezia, Spanja/ gjë që dëshmon, se bota pothuajse në tërësi e njeh dhe e vlerëson Kosovën shpirtërore dhe artistike, por fatkeqësisht nuk e njeh Kosovën politike.
/zeri/




