Kryetari LDK-së Lumir Abdixhiku ka qëndruar në Lipjan ku është shprehur se Kosova nuk ka pse të zgjedhë mes ligjshmërisë dhe aleatëve më të ngushtë ndërkombëtarë.
Sipas tij, Kosova ka nevojë për mesazhe mbështetëse nga Administrata Biden e nga Bashkimi Evropian
Postimi plotë nga Abdixhiku:
Platforma jonë komunikuese me qytetarë nëpër Kosovë, ‘LDK ju dëgjon’, është bërë adresë e vetme bashkëbisedimi politik. Sonte, qëndruam në Lipjan. Aty dëgjuam pikëpamjet e njerëzve tanë mbi ekonominë, energjetikën, ikjen, shëndetësinë e arsimin.
Këta qytetarë brengë kishin dhe relacionin e Kosovës me aleatët tanë.
Kosova nuk ka pse të zgjedhë mes ligjshmërisë dhe aleatëve më të ngushtë ndërkombëtarë; Kosova dushet t’i ketë të dyja, edhe ligjshmërinë edhe aleatët ndërkombëtarë. Një Qeveri që sjellë vendin përballë një zgjedhje të tillë, ka dështuar që në fillim.
Në kohë të zhvillimeve të mëdha rajonale e kontinentale, Kosova ka nevojë për mesazhe mbështetëse nga Administrata Biden e nga Bashkimi Evropian. Me miq të tillë, ne do të duhej të ishim në momentet më të mira politike pas një kohe të gjatë stagnimi integrues. Shteti ynë i ri ka nevojë për ndihmë në proceset e vështira euroatlantike në liberalizim të vizave e në anëtarësim në NATO. Prandaj sot, interes kombëtar i yni është ecja në hap me hap me ta. Zhgënjimi e dëshpërimi i miqëve, është një hap i madh pas.
Udhëheqja shtetërore, në veçanti në relacion me aleatë, nuk është platformë popullizmi për turma. Është, para së gjithash, përgjegjësi e shtetarëve të mëdhenj; diçka që Kosovës i mungon dukshëm sot.



