A do të bjerë koalicioni i Angela Merkelit?

PUBLIKUAR

Ashtu si në vende të tjera evropiane, peizazhi politik në Gjermani po ndryshon me shpejtësi me partitë kryesore që po e humbasin mbështetjen, ndërsa partitë më të vogla që kanë qëndrime të qarta mbi çështjet jetike bashkëkohore janë duke fituar terren, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Për një parti që predikon ungjillin e solidaritetit, pikërisht solidariteti është gjëja e cila po i mungon më shumë sot Partisë Socialdemokrate Gjermane (SPD). Të dielën e 2 qershorit udhëheqësja e partisë, Andrea Nahles, dha dorëheqjen pas disa ditë presionesh të brendshme (të përshkruara nga zërat brenda partisë si bullizëm). Vendimi i saj erdhi pas rezultateve të dobëta në zgjedhjet evropiane, duke rënë nga 27,3 në 15,8 për qind të votave dhe duke humbur bastionin e SPD-së në Bremen

Dorëheqja e Nahles e ka zhytur SPD-në në kaos, por ajo po kërcënon më seriozisht mbijetesën e koalicionit të madh qeverisës midis SPD-së, Unionit Kristiano-demokrat (CDU) të qendrës së djathtë të Angela Merkelit, dhe simotrës së saj bavareze të krahut të djathtë, Unionit Kristiano-Social (CSU).

Në fakt, koalicioni qeverisës ka qenë i brishtë qëkur u formua vitin e kaluar. Në prag të zgjedhjeve federale të vitit 2017 blloku CDU/CSU u përpoq të hynte në një koalicion me Të Gjelbrit dhe me liberalët e Partisë së Demokratëve të Lirë (FDP), por negociatat u ndërprenë pas 11 orësh dhe SPD-ja u bë zgjedhja e dytë në një koalicion që urrehej nga shumica e votuesve dhe deputetëve të saj kryesorë, transmeton “Zëri.info”.

SPD-ja ka shërbyer si partnerja e vogël e CDU/CSU-së në tri nga katër kabinetet e Merkelit, që nga viti 2005. Ndërsa ka ndikuar me sukses në realizimin e reformave të shumta, duke përfshirë futjen e pagës minimale, sjellja e zgjuar e Merkelit ndaj politikave të SPD-së, nënkupton se votuesit nuk ia njohin meritat SPD-së as për këto arritje.

Profili i veçantë i partisë u zbeh dhe në vitin 2017 ajo mori rezultatin më të keq në historinë e saj të gjatë në zgjedhjet federale. Udhëheqësi i atëhershëm i partisë, Martin Shulc, tha se SPD-ja nuk do të hynte më në të ardhmen në një koalicion me CDU. Siç shkuan gjërat, rezultoi që ai e kishte gabim.

Në emër të stabilitetit politik dhe me urdhër të presidentit gjerman, Frank-Valter Shtajnmajer – vetë një “xhaketë e vjetër” e SPD-së – partia u rikthye te koalicioni me partinë e Merkelit. Përkrahësit e koalicionit të madh, veçanërisht Andrea Nahles, argumentuan se do të ishte papërgjegjshmëri të mos qeverisnin vendin dhe se ripërtëritja politike do të ishte e mundur edhe brenda koalicionit të madh.

Por rënia e popullaritetit të SPD-së ka vazhduar në mënyrë të pandalshme dhe kritikët e koalicionit të madh, siç është lideri i të rinjve të SPD-së, Kevin Kynert, janë bërë shumë më të zëshëm. Zgjedhjet për drejtuesin e ri të SPD-së mund t’i japin fund koalicionit të madh dhe të çojnë në zgjedhje të reja federale.

Procedura e zgjedhjes së një udhëheqës të ri të SPD-së nuk është e paracaktuar, por ka një rritje të oreksit për ta lejuar anëtarësinë të vendosë. Nëse kjo ndodh, baza e partisë ka të ngjarë të vendosë shkëputjen nga koalicioni me CDU për të pasur një ripërtëritje të plotë programore, jashtë kufizimeve të qeverisjes si një partnere e vogël.

Në këto kushte një kandidat i vazhdimësisë, që do të mbronte vazhdimin e koalicionit të madh, nuk mund të ketë asnjë shans të zgjidhet. Nëse SPD-ja do të tërhiqej nga koalicioni, blloku CDU/CSU ka dy mundësi për t’i shmangur zgjedhjet e menjëhershme, në të cilat do të kishte gjasa të pësonte një goditje të fortë.

Së pari, ai mund të përpiqet të ringjallë bisedimet me Të Gjelbrit dhe me FDP-në. Por suksesi nuk ka gjasa të jetë i garantuar. Në zgjedhjet e fundit evropiane Të Gjelbrit morën më shumë se dyfishin e votave në krahasim me vitin 2017 dhe do të duan të përfitojnë nga momenti edhe në zgjedhjet e reja. Ose koalicioni CDU/CSU mund të vendosë të vazhdojë qeverisjen i vetëm si një qeveri e pakicës, duke kërkuar shumicën rast pas rasti. Kjo është diçka e pashembullt në Gjermani dhe nuk do të përputhej me kulturën politike të vendit, e cila kërkon gjithmonë stabilitet.

Prandaj zgjedhjet e parakohshme parlamentare pritet të mbahen këtë dimër. Ato do të lajmëronin një epokë të re në politikën gjermane, pasi do të jenë zgjedhjet e para në 14 vjetët e fundit ku nuk garon ose nuk fiton Merkeli.

Atëherë, çfarë do të sjellin zgjedhjet e reja federale?

Ashtu si në vende të tjera evropiane, peizazhi politik në Gjermani po ndryshon me shpejtësi me partitë kryesore që po e humbasin mbështetjen, ndërsa partitë më të vogla që kanë qëndrime të qarta mbi çështjet jetike bashkëkohore si ndryshimet klimatike, emigracionin ose integrimin evropian nga Të Gjelbrit te e djathta ekstreme janë duke fituar terren.

Në zgjedhjet evropiane ndryshimi i klimës ishte çështja më e rëndësishme për votuesit gjermanë. Alternativa për Gjermaninë e ekstremit të djathtë (AfD), e kërcënuar nga sherret e brendshme mbi donacionet e paligjshme humbi terren në krahasim me paraqitjen mbresëlënëse në zgjedhjet federale të 2017-s, transmeton “Bota.al”.

Por është shumë herët të thuhet nëse AfD-ja e ka arritur tashmë kulmin e vet. Më tregues për këtë do të jenë zgjedhjet rajonale në bastionet e saj në ish-Gjermaninë Lindore, të cilat mbahen këtë vjeshtë. Me CDU-në në kaos dhe me çështjen se kush do ta pasojë Merkelin, që po lë në hije çështje të tjera, duket se zgjedhjet e parakohshme do të sjellin një qeveri të re të formuar nga CDU/CSU-ja dhe Të Gjelbrit, një SPD të dobët në opozitë dhe disa parti të vogla të përfaqësuara në Bundestag.

Ky konfigurim mund të ringjallë debatin politik, që është shuar nën peshën e koalicioneve të mëdha të njëpasnjëshme. Por ai mund të jetë gjithashtu një lajm i keq për Evropën. Politika gjermane mund të gjallërohet nga largimi i Merkelit, por gjithashtu do të bëhet edhe më e mbyllur në vetvete dhe Bashkimi Evropian, pikërisht në një periudhë të destabilitetit ndërkombëtar, do të humbasë një vend që udhëhiqte dikur Unionin./ “New Statesman”. /ZER

SHIKO MË SHUMË

“Do t’ju mallkojë historia…” – Tifozat Kuq e Zi me mesazh për Armand Dukën

Tifozat Kuq e Zi kanë reaguar në rrjetet e tyre sociale në lidhje me...

Nico Gonzalez te Man City në momentet e fundit, Barcelona përfitues i madh i këtij transferimi

Manchester City ka bërë goditjen e madhe në ditën e fundit të afatiti kalimtar,...

E kryer, Joao Felix kalon nga Chelsea te Milani

Sky Sport Italia raporton se Milani dhe Chelsea kanë arritur një marrëveshje për huazimin...