I dyshuari i vetëm për sulmin me kamion të së hënës në Berlin, është liruar nga paraburgimi, kanë njoftuar prokurorët gjermanë.
Ata thonë se nuk kanë pasur prova të mjaftueshme që të vazhdojë rastin ndaj personit, i cili nga mediat është identifikuar si Naved B, me shtetësi pakistaneze.
Sulmi në tregun e Krishtlindjeve në Berlin la të vdekur 12 persona dhe 49 të tjerë u lënduan, transmeton Express.
Zyrtarët gjermanë kanë thënë se personi është liruar pasi ata nuk kanë qenë të sigurt nëse ai ka qenë i përfshirë në sulm.
Prokurori federal, Peter Frank ka thënë se nuk kanë pasur prova të mjaftueshme se “i arrestuari mund të jetë sulmuesi”.
Ai ka shtuar se sulmi në Berlin është i stilit të ekstremistëve islamik.
Personi i liruar thuhet se është 23 vjeçar por policia ka thënë se nuk kanë gjetur asnjë lidhje të tij me organizatat militante.
Pakistanezi, kishte ardhur në Gjermani më 31 dhjetor të vitit të kaluar dhe aplikimi i tij për azil është akoma duke u shqyrtuar./Express/


