Trump tingëllon hipokrit duke thënë të kundërtën e asaj qe kishte thënë në zgjedhje
Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës sot ka mohuar se janë përmendur para zgjedhjeve pretendimet se Rusia ka ndërhyrë në publikimin e emailave të ish-kandidates demokrate Hillary Clinton, në kohen kur mbante postin e sekretares së shtetit.
Sot në disa postime të tij në rrjetin social “Twitter”, Trump ka thënë se manipulimet e zgjedhjeve nga Rusia nuk janë përmendur ndonjëherë, përkundër faktit që për këtë gjë ai kishte diskutuar së bashku me kundërkandidaten e tij, në një debat televiziv.
Nënkryetari i zgjedhur i SHBA’së, Mike Pence gjithashtu kishte përmendur ndërhyrjet, duke thënë se këto janë shumë të rëndësishme për shtetin, nëse dëshmohen, transmeton Express.
Për mundësinë e ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale të SHBA’së duke hakuar serverët e shërbimit shtetëror është përmendur nga vet presidenti Trump, në debatin e dytë gjatë zgjedhjeve, që është mbajtur më nëntë tetor.
Dhe, ky debat – fjalët e të cilit Trump duket se i ka harruar, – është ndjekur nga 65.5 milionë njerëz.
Para zgjedhjeve, Clinton kishte pretenduar se Rusia po provon të ndërhyjë në zgjedhje, nëpërmjet hakimit të emailave gjatë kohës kur ajo mbante postin e sekretares së shtetit.
Dhe këtë, sipas Clinton, Rusia nuk po e bënte sepse donte që ajo të zgjidhej presidente, por, sepse atyre u konvenonte zgjedhja e Trumpit president.
Ndërsa, Trump ishte kundërpërgjigjur se nuk mund të dihej nëse Kremilini kishte ndërhyrë në serverët e shtetit dhe se këto akuza janë qesharake.
Ai kishte shtuar se kundërkandidatja e tij po akuzonte Rusinë gjithmonë. Dhe këtë, sipas presidentit tanimë të zgjedhur, ajo po e bënte që të dukej se Rusia po e përkrah Trumpin.
“Unë nuk e njoh Rusinë. E njoh si shtet, por jo punët e saj të brendshme dhe nuk kam asgjë të bëjë me të”, kishte shtuar më tej Trump.
“Përderisa hakerët nuk janë zënë në vepër, është shumë e vështirë të përcaktosh se kush i ka kryer ndërhyrjet në serverët e shtetit. Pse nuk u përmend kjo në zgjedhje?”, ka shkruar sot në “Twitter”, presidenti i zgjedhur Trump. /Express/


