Një gjykatë në Greqi e ka refuzuar kërkesën e Ankarasë për t’i ekstraduar në Turqi tre nga tetë ushtarakët turq, të cilët ikën në Greqi menjëherë pas puçit të dështuar ushtarak të 15 korrikut.
Të gjithë tetë ushtarakët, të cilët ikën nga Turqia në Greqi përmes helikopterit natën e puçit, i mohojnë akuzat se morën pjesë në puç dhe komplot për ta vrarë presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, transmeton Express.
Vendimi i sotëm i gjykatës greke në Athinë vjen pas argumenteve të një prokurori grek se jetët e pilotëve dhe mekanikëve të fluturimit do të rrezikoheshin nëse ekstradohen në Turqi.
Tre nga ta pritet të lirohen nga paraburgimi policor në ditët e ardhshme.
Ndërkohë, gjykatë do të vendosë rreth kërkesën për ekstradimin e pesë turqve të tjerë në tri ditët e ardhshme./Express/


