Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, ka kërkuar sot nga presidenti amerikan, Barack Obama, që të bllokojë zgjatjen e sanksioneve ndaj Iranit që Kongresi Amerikan e miratoi përmes një legjislacioni, duke thënë se Teherani do të kundërpërgjigjet ashpër.
Gjatë një fjalimi në Parlament, Rouhani e dënoi miratimin e legjislacionit nga Kongresi Amerikan për ta zgjatur Aktin e Sanksioneve ndaj Iranit (ASN) për edhe 10 vite tjera, duke e quajtur shkelje të marrëveshjes bërthamore të Teheranit me gjashtë fuqitë e mëdha, transmeton Express.
Marrëveshja frenon programin bërthamor të Teheranit në shkëmbim të heqjes së sanksioneve financiare ndërkombëtare.
“Presidenti i Amerikës është i obliguar që të ushtrojë autoritetin e vet duke e parandaluar aprovimin dhe në veçanti zbatimin e sanksioneve… dhe nëse kjo shkelje e rëndë ndodh, atëherë ne do të kundërpërgjigjemi fort,” ka thënë Rouhani gjatë fjalimit që u transmetua në televizionin shtetëror.
Por, presidenti Obama pritet që ta nënshkruajë legjislacionin për t’u futur në fuqi, sipas Shtëpisë së Bardhë./Express/


