Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në takim kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në kuadër të vizitës së tij dyditore në Tiranë.
Gjatë takimit kreu i shtetit, theksoi rëndësinë e faktorit shqiptar në Maqedoni në shtetformim dhe zhvillimin e gjithanshëm të vendit, ndërsa shprehu se zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit mbetet vendimtar për “stabilitetin, bashkëjetesën ndëretnike dhe avancimin e Maqedonisë në proceset demokratizuese dhe integruese”.
Nishani shprehu kënaqësinë për këtë takim, dhe përcolli vlerësimet për rolin, kontributin dhe angazhimin e spikatur politik që Ahmeti ka patur ndër vite në Maqedoni. Ai siguroi për mbështetjen e plotë të Shqipërisë në përpjekjet e faktorit politik dhe institucional në Maqedoni për avancimin dhe respektimin e plotë të të drejtave të shqiptarëve atje.
Zhvillimet e fundit në Maqedoni, proceset e integrimit në BE dhe anëtarësimit në NATO, bashkëpunimi ekonomik, si dhe ecuria e marrëdhënieve dypalëshe, ishin gjithashtu objekt bisede mes palëve.
Ahmeti nënvizoi rëndësinë që kanë projektet e përbashkëta ekonomike, dhe informoi mbi ecurinë e ndërtimit të korridorit VIII, dhe projekteve të tjera të përbashkëta në energji e turizëm.
Në përfundim të takimit u diskutua edhe mbi rëndësinë që luan në përgjithësi faktori shqiptar në rajon, për paqen, stabilitetin, ripajtimin, dhe avancimin e proceseve integruese evropiane dhe euroatlantike. /Telegrafi/



