“Kolona” i Ujkan Hysajt është shpërblyer me pesë mijë dollarë, pasi ka përfunduar i katërti në festivalin e filmit “Viewster Online Film Festival”.
Juria në përbërje të producentit Ted Hope, aktorit Udo Kier, aktorit dhe regjisorit Timo Vuorensola dhe aktores Nora Tschirner e ka radhitur të katërtin filmin e Hysajt. Çmimi i parë i është ndarë regjisorit brazilian Claudio Ellovitch për filmin “Pray”. I dyti ka dalë filmi “Do not disturb” i regjisores Vanesa Tavares, ndërsa vendin e tretë e ka fituar filmi “Grizzly” i regjisorit Arved Lindau.
Anëtarët e jurisë e kanë cilësuar filmin e Hysajt si “një mënyrë tjetër për t’u frikësuar, duke paraqitur një botë në të cilën etika dhe rregullat e moralit nuk vlejnë më”. Në edicionin e tretë të festivalit të filmave online që është mbajtur nga 11 deri 25 shtator, “Kolona” pos çmimit të 17-të me radhë ia ka sjellë regjisorit Hysaj edhe 5 mijë dollarë.
Hysaj ka thënë se ky çmim ka rëndësi të madhe, sepse “Kolona” po u hap rrugë edhe filmave të tjerë nga Kosova ashtu siç ka bërë edhe me festivale të tjera klasike që nuk janë mbajtur “online”.



