Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, tha se e ka fituar votën popullore në zgjedhjet e 8 nëntorit, “nëse ju nuk i llogaritni miliona njerëz që kanë votuar ilegalisht”.
Këtë pretendim Trump, i cili i ka fituar votat e nevojshme në Kolegjin Elektoral për sigurimin e presidencës, e ka bërë mbrëmë në rrjetin Twitter.
Mëtutje, ai ka shfaqur dyshime për “mashtrim serioz votues” në shtetet Virxhinia, Nju Hempshër dhe Kaliforni, ku ka fituar kandidatja demokrate, Hillary Clinton.
Donald Trump nuk ka ofruar dëshmi për t’i mbështetur këto dyshime, transmeton Rel.
Këto komente u bënë pasi fushata e Clintonit tha se do të marrë pjesë në rinumërimin e votave në shtetin Viskonsin, që është inicuar nga kandidatja e Partisë së Gjelbër në zgjedhjet presidenciale, Jill Stein.


