Edhe këtë vit është pranuar kërkesa e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, që Kosova të jetë sërish pjesë e Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor në Bienalen e Venedikut.
Kjo ngjarje e madhe kulturore do të mbahet nga muaji maj deri në muajin tetor të vitit 2015.
Ndërkohë, Ministri i Kulturës, Memli Krasniqi në ditët në vijim do të marrë vendim për ekipin përfaqësues të Kosovës në këtë ekspozitë.
Ky është edicioni i 56-të i kësaj ekspozite dhe Kosova është pjesëmarrëse për herë të dytë në të. Në vitin 2013 Kosova u prezantua me Petrit Halilajn.
Ai e vlerëson si tejet të rëndësishme prezantimin e Kosovës në këtë ngjarje.
“Bienalja e Venedikut është një nga ngjarjet më të mëdha të artit në botë dhe prezantimi i Kosovës është shumë i rëndësishëm. Prezantimet e mëhershme kanë pasur një ndikim të madh në promovimin e artistëve tanë dhe në njohjen e skenës sonë kulturore. Tashmë ne e kemi bërë traditë që të prezantohemi në një ngjarje si kjo dhe tradita nuk do të humbet”, thotë ministri Krasniqi.
Përveç kësaj, tash e dy vjet Kosova merr pjesë edhe në Ekspozitën Ndërkombëtare të Arkitekturës në Bienalen e Venedikut. Herën e parë është prezantuar më arkitektin Përparim Rama, e të dytën me Gëzim Paçarizin.



