Taulant Berisha është pjesë e atij që quhet publik besnik i një lloj arti. Ai nuk ka lënë pa e parë asnjë shfaqje në 15 vjetët e pasluftës që është dhënë në skenën e Teatrit Kombëtar. Taulanti banon në kryeqytet e si adhurues i teatrit e publik i tij, i pëlqen të flasë për lojën në skenë, aktorët dhe tregimin që ata përcjellin. Me të dalë nga repriza e shfaqjes “Vdekja e një Komisionari” gojën e kishte plotë ankesa. Ai thotë për “Zërin” se çmimi i biletave për një reprizë është i lartë si për xhepin e kosovarëve, ashtu edhe për nivelin që shfaqjet ofrojnë. “Çmimi prej 3 eurosh i një reprize të një shfaqjeje që është dhënë disa herë deri më tani, konsideroj se është i lartë”.
Sipas tij, salla e cila nuk kishte më shumë se 20 ulëse të zëna, nuk të ofronte komoditet për ta përcjellë një shfaqje teatri, salla ishte e ftohtë. “Ndoshta, edhe nuk ka pasur ngrohje në sallë për arsye se nuk ishte premierë, po vetëm një reprizë, po gjithsesi kjo nuk e arsyeton e nuk është në rregull që Teatri Kombëtar i Kosovës t’i mbajë vizitorët e tij në të ftohtë”, thotë 29-vjeçari prishtinas.
Por Berisha, pos kushteve në objekt, thotë edhe se niveli artistik i lojës që kishtë përcjellë nuk qe në atë nivel që i ka hije një Teatri Kombëtar. “Si institucioni më i lartë teatror në vend, nuk ishte shfaqje që të kënaqë, kjo e të tjera”.
Ndryshe nga Berisha mendon Emin Emini, drejtori artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, i cili thotë se situata është tjetër, duke e vlerësuar vetë lart TKK-në, si teatrin më të suksesshëm në rajon sa i përket repertorit artistik. “Shfaqjet janë publike dhe natyrisht vlerësimin më të mirë të mundshëm në këtë rast mund ta bëjë publiku sepse shfaqjet punohen për publikun dhe nuk ka teatër pa elementin publik dhe pa elementin publik e pa të gjitha elementet e tjera ka teatër”, thotë Emini për gazetën “Zëri”.
Duke folur rreth çmimit të biletave, për të cilin ka ankesa nga vizitorët, ai thotë se për standardin tonë mund të jetë pak shtrenjtë, por duke e ditur që më shumë se gjysma e vizitorëve të Teatrit janë studentë, atëherë ankesat janë të pabaza.
“Ka raste kur TKK-ja organizon shfaqje falas në festa të caktuara, pastaj edhe premierat janë të gjitha me ftesa (pa pagesë) që është një ngarkesë shtesë e nga të gjitha këto nëse i shohim nga aspekti financiar, ne nuk arkëtojmë mjete sepse të gjithë teatrot publike nuk kanë mundësi që t’i riciklojnë mjetet dhe me riciklimin e atyre mjeteve ta sigurojë ekzistencën e vet, qoftë si produkt, qoftë si mirëmbajtje të hapësirave, ku krijohen ato produkte”, pohon ai.
Sipas tij, një fakt tjetër që tregon për punën e sukseset e TKK-së është edhe pjesëmarrja e tij në festivale kombëtare, rajonale e ndërkombëtare, duke sjellë me vete plotë 27 çmime.
“Nuk do mend që jo i gjithë repertori nuk është në nivelin më të mirë të mundshëm sepse është çështje artistike, çështje krijuese, ku pretendohet të arrihet maksimumi, gjë që nuk ndodh gjithherë. Mirëpo, nëse flasim në nota të përgjithshme ka shumë indikatorë, të cilët flasin për një repertor të suksesshëm të shfaqjeve në TKK, repertor që ka sjellë vlera artistike kudo që ato kanë pasur rastin të luhen. Mund t’ju them edhe se nëse bëjmë një krahasim sa i përket repertorit, TKK-ja vazhdon të mbetet me vite të tëra lider krahasuar me teatrot e regjionit në realizimin e numrit të premierave brenda një viti artistik. Ne kemi minimalisht 6 deri në 8 brenda një viti, përderisa teatrot e tjera nacionale të rajonit realizojnë 2 deri në 4 premiera”.
Emini pretendon që të gjitha këto suksese që i përmendi më lart e konfirmojnë edhe numri i vizitorëve, që siç tha ai, pritet të jetë më i madh se ai i vitit të kaluar. Në Teatrin Kombëtar të Kosovës, sipas drejtorit kreativ, shfaqjet të cilat tërheqin më së shumti vizitorë janë komeditë. “Në bazë të një sondazhi të bërë brenda institucionit tonë mund të them që shfaqjet, të cilat janë më të parapëlqyera janë komeditë dhe grupmosha, e cila frekuenton Teatrin më shumë është grupmosha 19-29 vjeç, që i bie grupmosha e studentëve dhe nëse flasim me shifra 62% e vizitorëve të Teatrit janë studentë dhe ata parapëlqejnë komeditë, shfaqjet që janë në njëfarë forme relaks dhe kanë një funksion argëtues për audiencën”.
Për sallën e ftohtë drejtori pranon që në këtë kohë ajo mund të jetë e tillë, por këtë e arsyeton me faktin se objekti i TKK-së është i vjetër dhe kërkon kapacitet të madh që të ngrohet.
Emini në fund bënë të ditur edhe për planet e TKK-së, duke thënë që aktualisht janë duke u bërë provat e fundit për të premierën e re “Gjashtë persona kërkojnë autorin”, të Luigji Parandellos, e cila vjen me regji të Orhan Kerkezit.



