Kosova, një ish-rajon i Serbisë, që e fitoi pavarësinë më 2008, pas një dekade dhune e përplasjesh etnike, ka nominuar për herë të parë një film për çmimet e akademisë amerikane Oscar. Kështu i referohet Kosovës, Hollywood Reporter.
“Një dramatizim sensitiv i një teme shumë të diskutueshme në Kosovë” e ka përshkruar ndërkaq thelbin e filmit “Tri dritare dhe një varje”, të regjisorit Isa Qosja, film ky i përzgjedhur si nominimi kosovar, i pari në histori, për ceremoninë prestigjioze Oscars.
“Qosja përdor sfondin e luftës për të hetuar e nxjerrë në pah traditën dhe rolin gjinor, në shoqërinë maskiliste si pjesë e një shoqërie të lashtë myslimane-evropiane”.
Hollywood Reporter tregon edhë për çmimet e fituara më herët nga Qosja, përfshirë këtu festivalin e filmit në Sarajevë dhe atë në Venecia, transmeton zeri.info.
Filmi ka marrë edhe Cineuropa Prize. Në kritikën që Hollywood Reporter i ka bërë filmit kur ky u shfaq në Sarajevo Film Festival, thuhet se “filmi është në mënyrë të pashmangshme i errët, por me ngrohtësi e humor brenda.
Kameramani Gokhan Tiryaki në mënyrë elegante ka rrokur hijet e thella në vendet e mbyllura dhe natyrën e filmit.
I fokusuar më shumë në të tashmen sesa në të kaluarën, heshtja e Qosjes nuk lidhet patjetër me luftën ose dhunimin, por me efektet e patriarkalizmit dhe fuqisë patriarkale në viktimat e dikurshme”./Zëri/


