Turqia mund të mbajë një referendum vitin e ardhshëm për të vendosur se a do t’i vazhdojë ose jo bisedimet me Bashkimin Evropian për anëtarësim në bllok, kështu ka thënë sot presidenti turk, Tayyip Erdogan.
Ai, po ashtu e ka ripërsëritur paralajmërimin ndaj Brukselit se kjo e fundit duhet të vendosë rreth anëtarësimit të Turqisë, transmeton Express.
Ministrat e Jashtëm të BE-së janë takuar sot për të konsideruar ndërprerjen e përkohshme të bisedimeve me Turqinë për pranimin e saj në BE, për shkak të, siç vlerësojnë ata, mungesës së demokracisë në vend pas puçit të dështuar në korrik, edhe pse nuk ekziston konsensus për një lëvizje të tillë.
Në një fjalim në Ankara, i cili u transmetuar drejtpërdrejt në televizion, Erdogan u bëri thirrje turqve që të kenë durim deri në fund të vitit, sepse pastaj, tha ai, mund të votohet për anëtarësimin e Turqisë në BE.
“Të presim deri në fund të vitit, dhe pastaj t’i drejtohemi popullit. Le t’i drejtohemi popullit, meqë ata do ta thonë vendimin e fundit. Madje edhe Britania iu drejtua popullit. Britania tha ‘të dalim [nga BE]’, dhe dolën,” tha Erdogani./Express/


