Presidenti Bujar Nishani i cili ndodhet në SHBA, ka mbajtur mbrëmë pas mesnate fjalimin e tij në Sesionin e 69-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, i cili ndër të tjera u ndal dhe në çështjen e terrorizmit, si një rrezik dhe kërcënim global.
“Shqipëria ka bashkuar zërin e saj me nismën e rreth gjashtëdhjetë vendeve të tjera të OKB-së për të referuar situatën në Siri në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve. Për fat të keq, si me shumë iniciativa të tjera për Sirinë, kjo përpjekje mori veton në Këshill. Ne përsërisim se autorët e krimeve në Siri duhet të mbajnë përgjegjësi dhe populli i Sirisë meriton qetësi dhe drejtësi”, u shpreh Nishani.
Më tej kreu i shtetit u ndal në aspiratën integruese të vendit duke theksuar se një sërë masash duhen miratuar për të çrrënjosur korrupsionin dhe krimin e organizuar, pasi procesi i zgjerimit është i bazuar në rezultate.
Nishani u bëri thirrje vendeve të OKB-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën ta hedhin këtë hap, ndërsa u ndal edhe tek të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni dhe atyre të Luginës së Preshevës.
Presidenti gjithashtu foli edhe për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor, duke e cilësuar rajonin të rëndësishëm në aspektin gjeopolitik për sa i përket sigurisë në Evropë, duke pasur parasysh edhe situatën në Ukrainë.
Ai theksoi se Ballkani Perëndimor mbetet i angazhuar për stabilitetin politik, progresin ekonomik dhe forcimin e fqinjësisë e konsolidimit të paqes. Shqipëria, pjesë e këtij rajoni, duhet të marrë masa për të çrrënjosur korrupsionin dhe krimin e organizuar.
“Në këtë aspekt, marrja e statusit kandidat, e ka inkurajuar vendin tonë për të vazhduar dhe intensifikuar reformat e nisura që do të bëjnë të mundur hapjen e bisedimeve të pranimit në Bashkimin Europian”, deklaroi Nishani./Telegrafi/



