Qeveria e Afganistanit i ka vendosur qindra ushtarë në qytetin jugor, Lashkar Gah, derisa militantët talibanë janë kërcënuar me depërtim në këtë qytet.
Gjatë ditës së djeshme, talibanët e kanë lansuar një sulm të shkallës së gjërë kundër pikave të kontrollit të sigurisë në Lashkar Gah të provincës Helmand, pasi nga një sulm vetëvrasës me makinë-bombë u vranë 14 vetë, përfshirë 10 policë.
Sot, forcat qeveritare të mbështetura nga sulmet ajrore amerikane, kanë ndërmarrë operacione për pastrimin e militantëve në qytet dhe rreth tij.
“Më se 300 ushtarë specialë janë vendosur në qytet për parandalimin e avancimit të talibanëve”, tha Abdul Jabar Qahraman, i dërguari special qeveritar për provincën Helmand, transmeton REL.
Për muaj të tërë, talibanët ishin në periferi të Lashkar Gahut, në kuadër të marshit të tyre përgjatë Helmandit, ku prodhohet pjesa më e madhe e drogës në botë.
Zyrtarët provincialë kanë thënë se tash talibanët e kontrollojnë 85% të provincës Helmand, ndërsa para një viti qeveria e kishte kontrollin ndaj 80% të territorit.


