Një temë sociale që trajton sfidat e një çifti, është përmbledhur në tetë minuta të filmit “E dashura Nita” me regji dhe skenar të Alban Zogjanit. E ky rrëfim nga Kosova, është vlerësuar në një festival spanjoll.
“Çmimin e kemi marrë në ‘Barcelona Internacional Film Festival’ dhe saktësisht filmit i është ndarë çmimi ‘El Rey Award for Excellence in Short Filmmaking’”, ka thënë Zogiani. Këtë vit ky festival ka organizuar edicionin e tij të katërt dhe si i tillë ka për qëllim të mbledhë talente të filmbërësve nga mbarë bota.
“Si një garë e shquar e filmit ky festival ka për qëllim që të njohë talentet më të rinj në mbarë globin. Ky festival është një gërshetim i freskisë dhe i mjeshtërisë së talenteve, në mënyrë që puna e tyre të njihet dhe të nderohet”, shkruhet në përshkrimin e këtij festivali në faqen zyrtare të saj.
Por rrugëtimi i filmit “E dashura Nita” nuk mbaron me kaq. Prej 24 deri më 28 shtator ky film do të shfaqet në kuadër të festivalit “Catalina Film Festival” në Kaliforni.
Zogiani ka dhënë detaje për inspirimin e tij për ta realizuar filmin.
“Skenari i filmit është i shkruar mbi një ngjarje të vërtet, po sigurisht është formësuar dhe iu ka dhënë kahja që të jetë sa më artistik”, ka thënë Zogjani, tek ka treguar për detajet rreth xhirimit të filmit.
“Xhirimet kanë zgjatur 5 ditë, një pjesë është e xhiruar në Prishtinë dhe një pjesë në fshatin Harilaq”, ka shtuar ai. Në rolin e Arbenit luan aktori Besart Sllamniku, ndërsa Nitën e luan aktorja Albulena Kryeziu.
“E dashura Nita” ishte shfaqur për herë të parë në kuadër të “Fer Film Festival” me 28 korrik, që mbahet në Ferizaj.
“Filmi do shfaqet edhe në kuadër të festivalit ‘Nine Eleven’ në Prishtinë”, ka thënë Zogiani, tek ka treguar se rrugëtimi i këtij filmi sapo ka filluar.
“Kam bërë disa aplikime nëpër festivale dhe përgjigjet do t’i marr gjatë vitit nëse do të jem pjese e festivaleve”, ka thënë Zogjani.
Ky film është realizuar në kuadër të fakultetit të arteve dhe mban vulën e “ASHA” si shtëpi realizuese./ KOHA/



