Sudani i Jugut është zhytur përsëri në luftë civile të dielën, teksa luftimet e vazhdueshme në kryeqytetin e vendit i kanë marrë jetën të paktën 272 personave, ndërsa janë sulmuar edhe dy baza të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Luftimeve nuk i ka shpëtuar as Organizata e Kombeve të Bashkuara, të cilës i janë sulmuar dy baza në shtetin më të ri në botë.
Ushtarët besnikë ndaj presidentit Salva Kiir dhe ndaj zëvendëspresidentit Riek Machar kanë luftuar ndërmjet vete të premten dhe të dielën, transmeton Gazeta Express.
Për të sulmuar objektiva të ndryshëm në kryeqytetin Xhuba, përfshirë kampet e OKB’së me mijëra refugjatë, janë përdorur tanke dhe artileri e rëndë. Forcat e presidentit Kiir po ashtu kanë dislokuar helikopterë luftarakë.Lufta civile e Sudanit të Jugut ishte paraparë të ndalej me një marrëveshje paqësore të nënshkruar vitin e kaluar. Në prill, Machar është kthyer në Xhuba për t’u bërë zëvendëspresident i qeverisë së re të “unitetit”.
Por, Machar është shoqëruar nga truprojat e tij dhe njësitet e tij ushtarake, duke krijuar një situatë të tensionuar dhe rrezikun e përleshjeve me forcat e presidentit Kiir.
Sudani i Jugut është “kthyer në luftë”, ka thënë koloneli William Gatjiath, zëdhënës ushtarak i Macharit, sipas BBC’së. /Express/


