Këshilli gjyqësor për buxhet do t’i ulë rrogat e grevistëve, jo vetëm për 40 për qind, por për 60 për qind, ka akuzuar sekretari i përgjithshëm i Sindikatës gjyqësore, Tërpe Dejanoski, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Ai konsideron se ky është edhe një tentim më shumë që të pengohet greva e administratës gjyqësore dhe të largohet vëmendja nga problemet e zyrtarëve gjyqësorë.
Tërpe Dejanovski, sekretari i përgjithshëm i Sindikatës gjyqësore, për TV21, ka thënë se në vend që të gjendet zgjidhja e problemit, organet kompetente po mundohen t’i ulin rrogat e administratës gjyqësore për 60%.
Sipas tij, Këshilli gjyqësor për buxhet po mundohet në këtë mënyrë t’i dënojë grevistët.
„Edhe pse është e paraparë me ligj, megjithatë kjo paraqet zbatim të përzgjedhur të Ligjit për shërbim gjyqësor, sepse deri më tani në praktikë janë zbatuar shumë pak nene nga ky ligj. Nëse më të vërtetë janë të vendosur ta zbatojnë ligjin, atëherë pse nuk i zbatojnë dispozitat e Ligjit për trajnim të zyrtarëve gjyqësor?”, është shprehur Tërpe Dejanoski, Sekretar i Përgjithshëm i Sindikatës.
Më herët, kryetari i Këshillit gjyqësor për buxhet, Zoran Karagjovski, ka deklaruar se ulja e rrogave ka qenë që më parë e dakorduar dhe se në vend se të fillohet nga maji me uljen e rrogës së prillit, nga Sindikata gjyqësore, kanë kërkuar që kjo gjë të shtyhet për një muaj, do të thotë t’iu ulet rroga e majit në qershor të gjithë atyre që kanë dalë në greva.
Tërpe Dejanoski, thotë se problem shtesë për zyrtarët gjyqësor në grevë, është vendimi i fundit i kryetarëve të Gjykatave të Apelit dhe Gjykatave Themelore me kompetenca të zgjeruara, sipas së cilit norma e lëndëve të përfunduara duhet të jetë 95%.
„Edhe vetë gjykatësit e dinë se ai Vendim është joligjor dhe se nuk mundet të zbatohet. Menjëherë, pasi që u soll Vendimi, u thirrën daktilografist dhe bashkëpunëtorë profesional në gjykatat të cilat punojnë në lëndë të caktuara. Po qe se nuk do ta bënin këtë, atëherë këtyre të fundit do tu jepnin vërejtje zyrtare ose do ti kërcënonin me largim nga puna ose me nisjen e procedurave disiplinore ndaj tyre”, ka shtuar Dejanoski.
Sipas tij greva do të vazhdojë edhe në të ardhmen, eventualisht me ndonjë pauzë gjatë kohës së pushimit kolektiv të cilin e shfrytëzojnë punëtorët në gjykata.
Gjykata administrative, ka qenë në grevë që nga 18 maji i këtij viti. Ata kërkojnë rritjen e rrogave për 35% dhe rikthimin e orarit të vjetër të punës nga ora 7:30 deri në orën 15:30./Telegrafi/


