Youth Association for Human Rights (YAHR) ka publikuar raportin e monitorimit e ekzekutivit të Komunës së Lipjanit bazuar në monitorimin e punës së Komunës së Lipjan gjatë periudhës Janar – Qershor 2016.
Sipas këtij raporti monitorimi është fokusuar në Ekzekutivin e Komunës, dhe përfshinë fushat: e premtimeve të kryetarit të komunës, transparencës dhe llogaridhënies, demokratizimit dhe qeverisjes së mirë, zhvillimit urban e ekonomik, arsimit dhe shëndetësisë.
“Organizata YAHR për të qenë sa më objektiv në vlerësimin e premtimeve, ka organizuar një vargë takimesh me qytetarë , subjekte politike, përfaqësues të fshatrave, shoqërinë civile dhe mediat. Pas analizimit të burimeve të lartpërmendura kemi ardhur deri tek këto të dhëna: Ku nga 131 premtime të premtuar me projekte konkrete gjatë fushatës në zgjedhjet lokale 2013 për kryetar të komunës së Lipjanit, kemi vetëm 39 të realizuara plotësisht ose 29.77 %, ndërsa 33 premtime / projekte ose 25.19 % ka lëvizje për realizimin e tyre dhe 59 premtime ose 45.03 % nuk kemi asnjë lëvizje konkrete në realizimin e tyre. Lidhur me transparencën dhe llogaridhënien e ekzekutivit ndaj qytetareve, ende po vazhdohet me një nivel të ultë në këto dy shtylla të qeverisjes së mirë, pasi që kryetari Imri Ahmeti vazhdon ti mbaj të mbyllura dyert për organizatat e shoqërisë civile në mbledhjet e Bordit të drejtorëve, vazhdohet me mos dërgimit të materialeve të kuvendit për organizatën tonë. Ndërsa, kemi një ndryshim krahasuar me raportin e kaluar rreth mos lejimit në qasjen në dokumentet publike për organizatën tonë, tani na është lejuar në tri raste. Po ashtu pas presionit të vazhdueshëm dy vjeçar nga ana e shoqërisë civile e kemi detyruar ekzekutivin që ti bëjë publikime vendimet për ndarje të subvencioneve nga zyra e kryetarit , pas mos publikimi dy vjeçare të këtyre vendimeve”, thuhet në këtë raport.
“YAHR-i gjatë përpilimit të këtij raporti është bazuar në bazë të informatave të mbledhura në teren nga qytetarët, nga raportet mujore dhe vjetor i kryetarit për vitin 2016, nga monitorimi i drejtpërdrejtë të aktiviteteve të punës së ekzekutivit, nga mediat dhe nga shumë informacione të ndryshme. Ekzekutivi i Komunës së Lipjanit edhe gjatë kësaj periudhe Janar – Qershor 2016 është përballur me shumë vështirësi. Vështirësitë më të cilat është përballur ekzekutivi i Komunës së Lipjanit janë të njëjta që nga fillimi i mandatit në vitin 2014 dhe ato janë: obligimet e trashëguara nga ekzekutivi i kaluar ,ekzekutimi i disa vendimeve nga ana Thesarit Qendror dhe të institucionet gjyqësorit dhe deri te anulimi i disa tenderëve nga Organi Shqyrtues i Prokurimit”, thuhet në raport të YAHR-së
Kjo OJQ ka listuar edhe problemet aktuale të cilat qytetarët e Lipjanit preokupohen.
Sikur se edhe në raportet e kaluara monitoruese Komuna e Lipjanit nuk po arrin kurrë se si ti zgjidhë problemet kryesore që po preokupohen qytetarët e Lipjanit, në këtë nuk e ka pas arritur as ekzekutivi i kaluar, por edhe ekzekutivi tanishëm nuk ka bërë as ndonjë përpjekje serioze në zgjidhjen e tri problemeve kryesore që sot qytetarët e Lipjanit preokupohen dhe ato janë:
Problemi me ujërat e zeza si pasoj i mos trajtimit të tyre
Mungesa e ngrohtores së qytetit;
Kundërmimi nga ferma e pulave;
Problemi me ujërat e zeza si pasoj i mos trajtimit të tyre: Komuna e Lipjanit është duke u përballur me një problem që dita ditës është duke u zgjeruar, i mos trajtimit të ujërave të zeza. Gjatë viteve të kaluara janë rregulluar një numër i sistemeve të kanalizimeve pa trajtimin e ujërave të zeza, pra pa kolektor, pa impiante për trajtim dhe këto ujëra janë derdhur drejtpërdrejtë në lumin Sitnica apo edhe nëpër fusha dhe livadhe. Këto ujëra të derdhura gjithnjë e më shumë po ndikojnë në ndotjen e ambientit jetësor dhe janë duke ndikuar edhe në shëndetin e qytetarëve.
Mungesa e ngrohtores së qytetit. Nuk ka lëvizje në këtë drejtim , edhe pse ne kemi bërë vërejtje që nga raporti e parë mbi punën e ekzekutivit të Komunës së Lipjanit dhe që është premtim më kryesor nga fushata zgjedhor që nga 2009-ta dhe 2013-tës nga kryetari i komunës Z. Imri Ahmeti.
Kundërmimi nga ferma e pulave. Banorët në dalje të qytetit të Lipjanit, në drejtim të fshatit Banullë, kanë problem kundërmimin e erërave që vijnë nga ferma e pulave që ndodhet në afërsi të udhëkryqit për në Janjevë. Nga erërat që fryjnë, kundërmimi nga ferma e pulave mbërrin deri në qendër të qytetit, por më së shumti kanë problem banorët që ndodhen në afërsi të kësaj ferme.
Sipas raportit të OJQ YAHR-së buxheti i përgjithshëm i komunës së Lipjanit për periudhën Janar-Maj 2016 ka arrit që të shpenzohet në masën 24.62 % ose 854,620.57 € nga buxheti i alokuar prej 3,469,974.84 € ose 6.26 % nga buxheti i përgjithshëm i komunës për vitin 2016, që është 13,634,445.95 €. Kjo shifër është e mirë e arritur në shpenzimin e buxhetit për periudhën katër mujore në këtë komunë. Mirëpo, pjesa më e madhe e pritet të shpenzohen në tre mujorin e fundit të 2016.
Po ashtu e kemi një performancë të mirë edhe në inkasimin e të hyrave vetanake të komunës ku deri me datën 14.06.2016 janë inkasuar 544,430.12 euro ose 32.99 % nga planifikimi vjetor buxhetor që është 1,650,000.00 euro për vitin 2016. Po ashtu, nëse bëjmë një krahasim me periudhën e njëjtë me vitin e kaluar 2015 kemi një rritje 30.09 %. Raporti YAHR-së /LipjaniNews/


