Teatri i Qytetit të Prishtinës – “Dodona”, të shtunën, në ora 20:00 organizon Mbrëmjen tradicionale për ikonën e “Dodonës”, profesorin Faruk Begollin
Kjo mbrëmje shënon shtatëvjetorin e ndarjes nga jeta e artistit, të pedagogut dhe drejtorit shumëvjeçar të teatrit “Dodona”. Në mbrëmje do të shfaqen xhirime të rralla nga jeta e Begollit, të bëra nga aktori i teatrit të “Dodonës”, Faik Gashi. Këto xhirime janë realizuar me lejen e Begollit dhe pajtimin e tij që ato më vonë të jenë pjesë e një dokumentari për të. “Dëshira e profesorit ka qenë që unë ta realizoj një dokumentarin për jetën e tij”, ka thënë Gashi. Meqë Begolli nuk i ka dashur asnjëherë fjalimet, por ndejat, diskutimet dhe atmosferën shoqërore, mbrëmja do të jetë pa protokoll, pa fjalime të gjata, nën tingujt e muzikës së lehtë qytetare./KultPlus.com



