Papunësia prapë e lartë, nuk u besohet statistikave zyrtare

PUBLIKUAR

Në Kosovë niveli i papunësisë thuhet të ketë shënuar rënie të lehtë. Sipas të dhënave të publikuara ditë më parë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), thuhet se shkalla e papunësisë në vitin 2015 ka qenë 32.9 për qind, kurse në vitin 2014 kjo vlerë ka qenë në 35 për qind.

Por, pavarësisht statistikave, përfaqësues të punëtorëve mbajnë qëndrimin e tyre se shkalla e papunësisë është mbi 50 për qind .

Se papunësia mbetet problemi kryesor më të cilën përballen qytetaret e Kosovës, thuhet edhe në një raport të publikuar nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP), sipas të cilit 78 për qind e qytetarëve të Kosovës mendojnë se kushtet socio-ekonomike janë problemet më të mëdha me të cilat përballet Kosova.

Të prekurit nga papunësia janë të rinjtë, ku sipas anketës të ASK-së 57.7 për qind e të papunëve i takon moshës 15-24 vjeç.

Haxhi Arifi, udhëheqës në Bashkimin e Sindikatës se Pavarur të Kosovës, (BSPK) duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se shkalla e papunësisë në Kosovë, llogaritet të jetë më e lartë.

Ai thotë se pavarësisht iniciativave të fundit, për krijimin e vendeve të reja të punës, angazhimi i autoriteteve kompetente duhet të jetë më i fokusuar në përmirësimin e sektorit privat, sektor ky, që sipas tij, gjeneron numrin më të madh të të punësuarave. “Ne si BSPK e dimë që papunësia është shumë më e lartë se ato statistika. Te tregu i punësimit ka shumë probleme, dhe më një iniciative më të mirë do të vinim deri tek realiteti i statistikave”, ka thënë Arifi

Duke mos dyshuar në metodologjinë e përdorur nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, Ibrahim Rexhepi, drejtor i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale “STRAS” dyshon se përqindja e prezantuar e papunësisë përkon me realitetin në terren.

Ai kujton se në regjistrimin e popullsisë në vitin 2011, shkalla e papunësisë ka qenë rreth 45 për qind. “E para është se kjo shifër është shumë larg asaj që ka dal nga regjistrimi i përgjithshëm ipopullsisë, para pesë vitesh. Dhe njëkohësisht gjatë kësaj periudhe, Kosova nuk ka pasur një normë të lartë të zhvillimit ekonomik e cila ka mundur të ndikojë kaq shumë në rënien e papunësisë nga 45 për qind në rreth 33 për qind”, ka thënë Rexhepi.

Ndryshe, ditëve të fundit, ka pasur një angazhim të autoriteteve kompetente për hapjen e vendeve të reja të punës nga investitorë të jashtëm.

Rreth 40 kompani kanë prezantuar qindra vende të reja të punës në Kosovë, por edhe në Gjermani, kryesisht për profesionet e ndërtimtarisë, të përpunimit të ushqimit, arkitekturës, enterierit, në fushën e mjekësisë dhe të tjera.

Haxhi Arifi, konsideron se përpjekjet e autoriteteve kompetente janë intensifikuar kohëve të fundit, por rezultate mund të shihen më vonë. “Por, është një e vërtet se ka një lëvizje pozitive edhe në kuadër të punësimit edhe me investitorët e jashtëm potencial. Por, nevojitet një punë më e madhe e autoriteteve vendore. Kurse investimet në sektorët e paralajmëruar janë të mirëseardhura për shtetin tonë”, ka thënë Arifi.

Ndryshe edhe në anketën e publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, thuhet se prodhimi, tregtia arsimi dhe ndërtimtaria janë sektorët në të cilët është i punësuar numri më i madh i qytetarëve.

Kurse sa i përket të punësuarve rezulton se 28 për qind e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 72 për qind kanë kontratë të përkohshme. /Rel/Telegrafi/

SHIKO MË SHUMË

Gjenden dhe sekuestrohen 144 fishekë të vjetër në një fushë të hapur, në Gjakovë

Rreth 144 fishekë të vjetër janë gjetur në një fushë të hapur në Gjakovë. Sipas...

Theret me thikë një person në Pejë, arrestohet i dyshuari

Një person është therur me thikë të dielën në Pejë. Sipas raportit të policisë,...

PDK thotë se Bedri Hamza jep dorëheqje pasi të shpallen zgjedhjet në parti dhe nuk rikandidon

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës Bedri Hamza do të largohet nga pozita e...