Zgjedhjet e Serbisë po organizohen në Kosovë brenda vijimësisë së Kushtetutës së Serbisë, që e konsideron Kosovën pjesë të saj. Ndërsa, Isa Mustafa përmes dialogut është pajtuar dhe po legjitimon mbajtjen e tyre, përkundër cenimit të rëndë të integritetit dhe sovranitetit shtetëror.
Me lejimin e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, veçse vërtetohen pretendimet e Serbisë mbi Kosovën dhe paaftësia e Kosovës për t’u sjellë si shtet sovran kundrejt ndërhyrjeve në territorin dhe rendin e saj. Nëse deri para dialogut dhe marrëveshjes Mustafa-Vuçiq, e më parë Thaçi-Daçiq, ndërhyrja e Serbisë bëhej e mundur përmes strukturave paralele, dialogu po i legalizon këto zgjedhje, duke mundësuar organizimin e tyre edhe nga zyrtarë e ministra të Qeverisë së Kosovës, aparatçikë të djeshëm të strukturave paralele të Serbisë.
Ligjërimi në funksion të arsyetimit të mbajtjes së këtyre zgjedhjeve, që shënon rrëshqitjen drejt Serbisë, sado në emër të shtrirjes së sovranitetit, thirret në të drejtën e dyshtetësisë dhe të drejtën e serbëve të Kosovës për të marrë pjesë në këto zgjedhje. Këtu, sikurse edhe më lart, shmanget qëllimisht fakti i mosnjohjes së shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, si dhe atë se pjesa më e madhe e serbëve që jetojnë në Kosovë nuk janë fare shtetas të regjistruar të Republikës së Kosovës. Mbi këtë bazë, interesi i Serbisë nuk qëndron tek pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në këto zgjedhje, por tek rikonfirmimi i pranisë së saj në Kosovë.
Më tej, këto zgjedhje po mbahen duke e trajtuar Kosovën politikisht dhe ligjërisht si pjesë të Serbisë, ku serbët e Kosovës nuk do të votojnë si votues jashtë shtetit, por tamam si serbë brenda Serbisë. Më 24 prill, pavarësisht që sistemi zgjedhor i Serbisë e përcakton se shtetasve jashtë saj u mundësohet të votojnë përmes regjistrimit në listën e zgjedhësve në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore, sikurse edhe votimi bëhet nëpër ambasada dhe konsullata, këtu do të votohet ashtu siç do të votohet në Beograd, Nish, Pozharevc, etj, duke hapur vendvotime serbe edhe në territorin e Kosovës dhe jo siç mund të votojnë serbët në Kroaci, Slloveni, Gjermani, Australi e gjetkë. Një gjë të tillë nuk do ta toleronte as kuptimi më i zbehtë i nocionit të integritetit dhe sovranitetit shtetëror. Këtu pushon integriteti nëse veç ka ekzistuar.
Zgjedhjet e Serbisë nuk janë tjetër veçse manifestimi i radhës i kontrollit të saj mbi Kosovën. Kjo ndërhyrje mbetet e njëjtë në vazhdimësi, vetëm zbulesa e saj e kohëpaskohshme ndryshon. Natyrisht, sot me fushata parazgjedhore, vizita e zotime të zyrtarëve të Serbisë se “Trepça” është e barabartë me Serbinë, më 24 prill me hapje të vendvotimeve, për të vazhduar me struktura paralele.
Për më keq, ky itinerar i kalërimit të Serbisë dhe institucioneve të saj nëpër territorin e Kosovës po përligjet nga institucionet e Kosovës në emër të “normalizimit” të raporteve. Kështu, Qeveria e Kosovës në një mënyrë apo tjetër po bëhet hisedar në organizimin e zgjedhjeve të Serbisë, në vend se t’i ndalojë ato, të cilat qartazi e konsiderojnë Kosovën vazhdimësi territoriale dhe politike të shtetit të Serbisë. Në funksion të legjitimimit, kryeministri dhe Qeveria po manipulojnë opinionin publik, duke synuar në radhë të parë, që mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë të kalojë pa u vërejtur, si dhe zhvendosjen e vëmendjes nga pyetja thelbësore se a do të mbahen apo jo, në çështjen se kush do t’i organizojë ato. Me gjithë rëndësinë që ka organizatori i këtyre zgjedhjeve dhe duket sheshit që organizimi do të bëhet nga institucionet e Serbisë, shqetësues mbetet fakti i mbajtjes së tyre dhe cenimi i rëndë i integritetit shtetëror.
Atëherë kur këmba e Isa Mustafës nuk mund të shkelë në tërë territorin e Kosovës, Vuçiqi dhe Daçiqi shpalosin fushatën parazgjedhore dhe hapin vendvotime më lehtësisht sesa në qarkun e Beogradit. Kundruall kësaj, qëndrimi i Kosovës ka hapëruar deri në bashkorganizim të zgjedhjeve serbe, duke ia vënë në funksion Vuçiqit dhe Daçiqit edhe Policinë e Kosovës, si dhe pjesëmarrjen e zëvendësit të Isa Mustafës dhe ministrave të tij në këto tubime përkrah Vuçiqit e Daçiqit.
Qeveria e Kosovës, në vend të kundërshtimit e ndalimit të zgjedhjeve të Serbisë, që po mbahen duke e trajtuar Kosovën pjesë të saj, është shndërruar në një resurs organizativ dhe lehtësues të kësaj të fundit. Megjithëkëtë, sa më esëll që bëhet ëndërrimi dhe synimi i shqiptarëve të Kosovës për një shtet të mirëfilltë, si vazhdimësi e përpjekjeve dhe luftës së tyre për çlirim dhe pavarësi, aq më shumë qartësohet prania e Serbisë këtu dhe nënshtrimi i Qeverisë së Kosovës kudo. Bashkëdyzimi i Isa Mustafës me Aleksandër Vuçiqin, jo vetëm se nuk shpreh në asnjë mënyrë vullnetin e qytetarëve të Kosovës, përkundrazi fyen dhe baltos sakrificën e tyre. Janë, pikërisht këta qytetarë, që do t’i japin fund, tash, kur e kanë më se të qartë se pengimi i Serbisë dhe mundësimi i integritetit shtetëror kapërcen domosdoshmërisht përmes rrëzimit të kësaj Qeverie të nënshtruar.


