Serbët e veriut, drejt Jarinës për të protestuar

PUBLIKUAR

Një grup i qytetarëve të fshatit Rudare afër Zveçanit, është nisur me automjete në drejtim të Jarinës, ku gjendet vendkalimi kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në shenjë proteste ndaj vendimit të paralajmëruar të Qeverisë së Kosovës, se që nga 18 prilli nuk do të lejohet hyrja në Kosovë për personat që posedojnë „dokumente identiteti jolegale, të cilat i kanë lëshuar strukturat paralele të Serbisë në Kosovë“.

Atyre u janë bashkuar edhe kryetarët e komunave në veri të Kosovës, si dhe kryetarët e të ashtuquajturave komuna që funksionojnë në kuadër të Serbisë.

Serbët e veriut konsiderojnë se ky vendim do ta rrezikojë lirinë e tyre të lëvizjes, për shkak se, siç është thënë, shumica e tyre nuk posedojnë dokumente tjera përveç atyre serbe.

Megjithatë, ende nuk është konfirmuar nëse vendimi i autoriteteve të Kosovës ka hyrë në fuqi. Disa qytetarë serbë të veriut të Kosovës kanë kaluar sot pa ndonjë problem në vendkalimin kufitar, me letërnjoftime serbe.

Ministrja për Dialog e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, të premten ka deklaruar vendimin e autoriteteve të Kosovës, duke shtuar se për këtë e kanë lajmëruar edhe Bashkimin Evropian.

Ajo, po ashtu ka thënë se pas shumë përpjekjeve në dialog që të ndërpritet shfrytëzimi i këtyre dokumenteve, ende ekzistojnë raste të tilla. Në dhjetor të vitit 2015, Kosova e kishte shfuqizuar një masë të tillë, në mënyrë që t’i krijojë mundësi Bashkimit Evropian që ta zgjidhë këtë çështje. /REL/

SHIKO MË SHUMË

Dehari në “seancë” me vizitorë nga diaspora, Kuvendi: U pritën 432 bashkatdhetarë, aktiviteti vazhdon edhe nesër

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar për pritjen që iu kanë bërë vizitorëve nga diaspora...

Nga viti i ardhshëm, në aeroport mund të pini ujë falas

Ministrja në detyrë e Mjedisit, Fitore Pacolli, ka njoftuar se, nga viti i ardhshëm,...

E martë përcëlluese, temperaturat deri në 36 gradë

Kosova të martën do të përfshihet nga mot kryesisht me diell, sipas njoftimit të...