Tre persona janë arrestuar nën dyshimin se kanë hyrë në banesën e një shtetasejse të huaj dhe me përdorim të forcës fizike i kanë marrë para dhe një telefon.
Policia e Pejës njoftoi se të hënën rreth orës 02:35 kishin pranuar njoftim për një grabitje në rrugën “Vëllezërit Gërvalla” në këtë qytet.
Policia tha se viktima pësoi lëndime të lehta trupore.
“Sipas informatave fillestare, viktima, shtetase e huaj, ka raportuar se rreth orës 01:10 tre persona të panjohur, meshkuj, kishin hyrë në banesën ku ajo banonte. Duke përdorur forcën fizike ia kishin marrë një shumë parash dhe një telefon mobil, me ç’rast i kishin shkaktuar edhe lëndime të lehta trupore”, thuhet në njoftim.
Të dyshuarve, Policia tha se u gjeti dhe sekuestroi para dhe një telefon, të cilët dyshohen se u morën gjatë grabitjes.
“Sektori Rajonal i Hetimeve, pas veprimeve në terren dhe pas një pune intensive hetimore, ka arritur të identifikojë tre personat e dyshuar. Ata janë lokalizuar dhe janë arrestuar nën dyshimin se në bashkëveprim e kanë kryer veprën penale në fjalë. Gjatë veprimeve policore, tek ta janë gjetur para dhe një telefon mobil, që dyshohet se janë marrë gjatë grabitjes. Ato janë sekuestruar si prova materiale”, njofton Policia.
Bëhet e ditur se në konsultim me prokurorin e shtetit, është iniciuar rasti “Grabitje”, ndërsa të tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.


