Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës (RrGGK) kanë raportuar në Policinë e Kosovës kërcënimet dhe kanosjet e vazhdueshme ndaj ish-gazetares dhe aktivistes feministe, Anita Nikaj.
Sipas njoftimit të dy organizatave, Nikaj, së bashku me drejtoreshën ekzekutive të AGK-së, Getoarbë Mulliqi, dhe juristin e këtij asociacioni, Yll Zekaj, është paraqitur sot në Polici për të dorëzuar kallëzim penal lidhur me kërcënimet e pranuara.
AGK dhe RrGGK kanë kërkuar nga institucionet përgjegjëse që rastin ta trajtojnë me seriozitet dhe urgjencë, si dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë të personave që qëndrojnë pas këtyre kërcënimeve.
Në reagimin e tyre, të dy organizatat kanë theksuar se linçimi publik, fushatat denigruese dhe kërcënimet nuk duhet të normalizohen.
Po ashtu, AGK dhe RrGGK kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë të qëndrojnë pranë anëtarëve të tyre dhe të reagojnë ndaj çdo forme të presionit, frikësimit, kërcënimit apo cenimit të sigurisë së gazetarëve dhe grave në hapësirën publike.


