Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti, ka reaguar për rezultatet e dobëta të nxënësve kosovarë në testin PISA, por përgjegjësinë për gjendjen në arsimin parauniversitar duket se e ka kërkuar diku tjetër.
“Si nuk pashë askënd duke i kritikuar komunat e Kosovës për rezultatin e dobët në PISA? Kur rezultatet janë të dobëta, të gjithë nxitojnë të kërkojnë përgjegjësi në nivelin qendror. Por, çuditërisht, shumë pak flitet për përgjegjësinë e komunave. Nga çerdhja, te shkolla fillore e deri te shkolla e mesme, arsimi parauniversitar është kryesisht kompetencë dhe përgjegjësi e komunave. Komunat kanë përgjegjësi për drejtoritë e arsimit, menaxhimin e shkollave, përzgjedhjen e drejtorëve dhe mësimdhënësve”, ka shkruar ai.


