Vrasja e 25-vjeçares Jetlira Foniqi, e cila ishte në javën e 34-t të shtatzënisë, ka shkaktuar tronditje dhe reagime të shumta në opinionin publik.
Dhimbja për humbjen e saj dhe të foshnjës u shndërrua në revoltë qytetare, ndërsa në Prishtinë u organizua protestë me kërkesën që vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare.
Qytetarë të shumtë dolën në shesh për të kërkuar masa të menjëhershme institucionale kundër dhunës ndaj grave dhe një reagim më të fuqishëm të sistemit për mbrojtjen e viktimave.
Tayna i bashkohet reagimit publik
Protestës dhe thirrjeve publike iu bashkua edhe reperja Tayna.

Përmes një postimi në InstaStory, artistja publikoi pamje nga protesta në Prishtinë dhe reagoi ashpër ndaj dhunës ndaj grave dhe mentalitetit që, sipas saj, vazhdon ta ushqejë këtë fenomen.
Tayna vuri në pah kontrastin mes zhvillimit të shpejtë teknologjik dhe problemeve themelore shoqërore që vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura.
Sipas saj, është e papranueshme që në një kohë kur bota diskuton për inteligjencë artificiale, robotë dhe teknologji të avancuar, gratë ende duhet të protestojnë për të drejtën më elementare – të drejtën për të jetuar.
“Kontrolli është ngatërruar me burrërinë”
Artistja kritikoi gjithashtu mënyrën se si, sipas saj, disa modele të gabuara të sjelljes vazhdojnë të trashëgohen nga një brez te tjetri.
Ajo theksoi se për shumë kohë kontrolli është paraqitur si burrëri, ndërsa posesiviteti është ngatërruar me dashurinë.

Tayna u shpreh se një pjesë e burrave ende nuk kanë mësuar të bashkëjetojnë me gra të pavarura dhe të forta, duke përdorur shprehjen “sulltanë pa perandori” për ta përshkruar këtë mentalitet.
Kërkon zbatim më të ashpër të ligjit
Në përfundim të reagimit, Tayna bëri thirrje për zbatim më të rreptë dhe më efikas të ligjit.
Sipas saj, ligji nuk mund ta ndryshojë mentalitetin e një shoqërie brenda natës, por mund të shërbejë si mekanizëm për të parandaluar tragjedi dhe për të shpëtuar jetë derisa ndryshimi shoqëror të ndodhë.
Rasti i Jetlira Foniqit mori një tjetër zhvillim tragjik disa ditë më vonë, kur personi i dyshuar kryesor, bashkëshorti i saj, ndërroi jetë në spital.
Megjithatë, protestuesit dhe figurat publike që reaguan pas ngjarjes kanë përsëritur të njëjtën kërkesë: mbrojtja e grave nga dhuna duhet të trajtohet si një nga prioritetet më urgjente të institucioneve dhe të gjithë shoqërisë. /GazetaExpress/


