Policia jep detaje për vrasjen në Ferizaj, viktima një 32 vjeçar, dy persona ndalohen për 48 orë

PUBLIKUAR

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me vrasjen që ndodhi të dielën mbrëma në një banesë në Ferizaj, ku një 32-vjeçar mbeti i vrarë nga arma e zjarrit.

Sipas Policisë Rajonale të Ferizajt, rreth orës 22:50 është pranuar informata se një person ishte gjetur pa shenja jete në një banesë në katin e nëntë të një objekti banesor në rrugën “Sejdi Sejdiu”.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, hetuesit rajonalë, krim-teknikët dhe prokurori për Krime të Rënda.

Viktima është identifikuar me inicialet F.H., 32 vjeç, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e tij në vendin e ngjarjes.

“Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes është konstatuar një plagë që dyshohet se është shkaktuar nga arma e zjarrit. Në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë dhe një gëzhojë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas hetimeve fillestare, ngjarja ka ndodhur në banesën e M.B. (48 vjeç), ku në momentin e incidentit ndodheshin edhe bashkëshortja e tij dhe vajza A.R. (24 vjeçe).

Policia njofton se 24-vjeçarja ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

“Pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes, ekziston dyshimi i bazuar se rasti ndërlidhet me veprën penale ‘Vrasje e rëndë’”, thuhet më tej.

Me vendim të prokurorit, M.B. është ndaluar për 48 orë, ndërsa edhe ndaj A.R. është lëshuar vendim për ndalim prej 48 orësh, por ajo vazhdon të trajtohet në QKUK.

Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa Sektori i Hetimeve Rajonale, në koordinim me Prokurorinë, po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

SHIKO MË SHUMË

44 aksidente për 24 orë në Kosovë, dy prej tyre me fatalitet

44 aksidente kanë ndodhur në 24 orët e fundit në vendin tonë, ku dy...

Të shtëna në Jezerc të Ferizajt, sekuestrohet një armë

Dje rreth orës 20:00 policia e stacionit në Ferizaj ka pranuar një informacion se...

Sot, dita më e nxehtë e javës

Sot pritet të jetë dita më e nxehtë e javës, sipas parashikimeve të Institutit...