Komuna e Lipjanit ka marrë një çmim të rëndësishëm për bashkëpunimin e saj me Këshillin e Evropës, në kuadër të programit ROMACTED, i cili synon fuqizimin e komuniteteve rom dhe ashkali në nivel lokal.
Në konferencën përmbyllëse të programit ROMACTED, mbajtur në Stamboll të Turkisë, nënkryetari i Komunës së Lipjanit për Komunitete, z. Lulzim Qerimi, prezantoi angazhimet dhe projektet 6-vjeçare të realizuara në Lipjan. Ai theksoi rëndësinë e qeverisjes së drejtë dhe gjithëpërfshirëse për të siguruar trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike apo sociale.
Komuna e Lipjanit u vlerësua si model për mënyrën sesi bashkëpunimi mes grupeve komunitare dhe institucioneve publike ka sjellë rezultate konkrete në përmirësimin e jetës së qytetarëve në lokalitetet ku jetojnë komunitetet rom dhe ashkali.
Ky çmim përbën një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një shoqërie më gjithëpërfshirëse dhe të barabartë në komunën e Lipjanit.



