Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kërkuar hetim ndërkombëtar për sulmin terrorist që ndodhi të dielën në veri të vendit.
Ai shkruan në Facebook se ngjarjet në veri dhe sulmi terrorist mbi Policinë e Kosovës, janë pjesë e skenarit të përgatitur në Beograd.
“Situata e krijuar si rezultat i përfshirjes së drejtpërdrejt të Serbisë në sulmet e armatosura të grupeve kriminale në veri, kërkon hetim ndërkombëtar!”
“Ngjarjet në veri dhe sulmi terrorist mbi Policinë e Kosovës, janë pjesë e skenarit të përgatitur në Beograd. Reagimi i Policisë së Kosovës është përmbushje e detyrës për të mbrojtur rendin dhe ligjin. Qëndrimi i Qeverisë së Serbisë dhe rreshtimi i saj krah grupeve kriminale e paraushtarake, është tejet shqetësues në këtë situatë dhe është sinjal i qartë se shteti i Serbisë është përfshirë në sulmet e armatosura të grupeve kriminale në veri:.
“Prandaj në një situatë të tillë është i domosdoshëm një hetim ndërkombëtar për të zbardhur skenaret e destabilizimit të situatës jo vetëm në Kosovë, por në gjithë rajonin e Ballkanit”, shkruan ai, transmeton Klankosova.tv.
Të dielën gjatë sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit u vra polici, Afrim Bunjaku.


