Premtimi i Gani Gecit, se pas vrasjes së kryer të Hënën në mbrëmje në Skenderaj, kur në një lokal kishte vrarë Ruzhdi Shaqirin, se do t’u dorëzohet organeve të drejtësisë nëse me rastin merret EULEX-i, ende nuk është plotësuar. Me zbardhjen e kësaj vrasjeje po merret Prokuroria Themelore në Mitrovicë, kurse Policia e Kosovës thotë se është duke e kërkuar të dyshuarin Geci, por jo me fletarrestim ndërkombëtar.
Gani Geci, ish deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lidhja Demokratike e Dardanisë, kishte deklaruar për portalin Rugovapress se është i gatshëm t’i dorëzohet drejtësisë, lidhur me rastin e vrasjes së Ruzhdi Shaqirit nga Baksi i Skenderajt. Por, Geci ka thënë se këtë do ta bëjë vetëm nëse prokurori i EULEX-it merret me këtë çështje. Përkundër premtimit Geci nuk i është dorëzuar policisë. Madje vëllai i tij, Fadili ka deklaruar sot se Ganiu tashmë ka ikur nga Kosova dhe aktualisht gjendet në ndonjërin nga vendet e Evropës Perëndimore.
Ndërkohë, Dragana Nikolic-Solomon, një nga zëdhënëset e EULEX-it, ka thënë për RTK-në se nuk mund të pohojë apo mohojë nëse ky mision aktualisht është duke u marrë me këtë rast.
Solomon tha se me këtë çështje është duke u marrë Policia e Kosovës dhe të gjitha pyetjet që kanë të bëjnë me këtë rast duhet t’u drejtohen atyre.
Në fakt, me rastin po merret Prokuroria Themelore në Mitrovicë. Prokurori Njazi Rexha ka konfirmuar se sipas dëshmitarëve, vrasësi i Ruzhdi Shaqirit dyshohet se është Gani Geci.
Ndërkohë, Policia ende nuk i ka rënë në gjurmë të dyshuarit Geci. Avni Zahiti, zëdhënës i Policisë për rajonin e Mitrovicës, tha për RTK-në se që nga momenti që Geci është cilësuar nga prokurori i rastit si person i dyshimtë, ndaj tij është lëshuar flet-kërkim që vlen për tërë territorin e Kosovës.
Zahiti tha se aktualisht nuk ka fletarrest ndërkombëtar ndaj Gecit, meqë nuk ka prova se i njëjti ka dalë jashtë shtetit. Policia rikonfirmoi se të hënën në mbrëmje është bastisur shtëpia e familjes Geci në Llaushë të Skenderajt, por nuk është gjetur diçka e dyshimtë.
Në anën tjetër, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, nëpërmjet një deklarate për media, thotë se është e shqetësuar thellë me vrasjen e veteranit, Ruzhdi Shaqiri.
Duke e dënuar këtë akt dhe ngushëlluar familjen Shaqiri, OVL e UÇK-së kërkon prej organeve të drejtësisë së Republikës së Kosovës, që të jenë në nivelin më të lartë të detyrës, në zbardhjen e rastit, kapjen e autorit dhe vënien e tij para drejtësisë. /Telegrafi/



