Eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, ka folur për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe zhvillimet e fundit, pas marrëveshjes së 27 shkurtit dhe takimit të Ohrit.
Në një intervistë për Telegrafin, profesori në Universitetin “John Hopkins”, Daniel Serwer ka thënë se nuk sheh ndonjë tregues se Vuçiq do ta nënshkruajë marrëveshjen gjatë takimit të nivelit të lartë që pritet të mbahet më 22 prill në Bruksel.
“Nuk e di nëse do të nënshkruhet. Unë as nuk e di se çfarë është ‘ajo’”.
Ai thotë se Marrëveshja e Brukselit është ajo që ka vërtetë rëndësi.
“Nuk shoh asnjë tregues se Vuçiq është i përgatitur ta nënshkruajë atë. BE-ja të përfshijë kërkesat e marrëveshjes në negociatat për anëtarësim në BE. Kjo do t’i bëjë ato të detyrueshme. Por kjo mund të nënkuptojë një vonesë të gjatë përpara zbatimit”.
Në rast se Vuçiq nuk e nënshkruan marrëveshjen, Serwer thotë se BE-ja mund të frenojë bisedimet e anëtarësimit, dhe të zvogëlojë ndihmën ekonomike për Serbinë.
“Serbia nuk ka qenë e gatshme as në të kaluarën. Zbutja e Beogradit ende duket të jetë politikë”.
I pyetur për pikat e Propozimit Evropian, konkretisht AKS-së, Serwer thekson se aty konkretisht nuk përmendet Asociacioni, apo kompetencat ekzekutive për të.
“Nuk e shoh për momentin. Do të dëshiroja që Qeveria e Kosovës të parashtrojë një propozim që do ta konsideronte të pranueshëm për akomodimin e interesave të komuniteteve serbe në përputhje me dy marrëveshjet”, u shpreh ai, për Telegrafin.
Eksperti amerikan foli edhe për djegien e veturave të serbëve në veri të Kosovës, të cilat janë regjistruar me targa RKS.


