Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë nesër fillon gjykimi ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, ndaj të cilit rëndojnë akuza nën pretendimin për krime lufte.
Seanca është paralajmëruar se do të fillojë në ora 9:30, por do të transmetohet me 45 minuta vonesë.
Trupi gjykues në këtë çështje ka bërë të ditur se paraqitja e provave, përfshirë thirrjen e dëshmitarëve, do të fillojë më 27 mars të këtij viti.
“Mbrojtja ka bërë të ditur se pas deklaratës hyrëse të saj, z. Shala dëshiron të bëjë një deklaratë të shkurtër pa betim, me kohëzgjatje prej përafërsisht 5 minutash. Deri më tani janë pranuar tetë persona për të marrë pjesë në proces si viktima dhe procesi i paraqitjes së kërkesave për pjesëmarrje si viktimë është ende i hapur.
Pjetër Shala po mbahet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.


