Asociacioni i Komunave të Kosovës ka reaguar pas rastit tragjik në Pejë, ku humbi jetën Arlinda Zekaj, duke kërkuar që vëmendja ndaj Qendrave për Punë Sociale (QPS) të mos kufizohet vetëm pas ngjarjeve të rënda.
Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, ka thënë për IndeksOnline se, që nga viti 2022, komunat kanë kërkuar grantin specifik për shërbime sociale.
Por, sipas tij, Ministria e Financave ka tërhequr projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal, i cili parashihte këtë grant, dhe prej vitesh nuk e ka proceduar.
Sipas Ibrahimit, ky grant do të mundësonte angazhimin e më shumë profesionistëve, sigurimin e mjeteve bazë të punës, investime në hapësirat e QPS-ve, rritjen e sigurisë, kompensimin për punën jashtë orarit dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për qytetarët.
Ai thekson se aktualisht shumica e këtyre nevojave mungojnë ose janë të pamjaftueshme, ndërsa punonjësit socialë vazhdojnë të punojnë edhe pas orarit, pa mbështetjen e nevojshme, duke përballuar raste të rënda dhe përgjegjësi të mëdha.
“Është e papranueshme të bllokosh mekanizmin e financimit dhe pastaj të kërkosh llogari vetëm nga komunat e punonjësit socialë. Kush jep përgjegjësi për këtë zvarritje shumëvjeçare?”, ka deklaruar Ibrahimi.
Ai ka shtuar se Qendrat për Punë Sociale marrin vëmendje vetëm pas tragjedive, duke përmendur rastin në Pejë dhe vrasjen e një gruaje pranë QPS-së në Ferizaj, ndërsa më pas paralajmërohen inspektime, por nevojat e këtyre institucioneve, sipas tij, vazhdojnë të injorohen.
Ibrahimi ka theksuar se çdo neglizhencë duhet të hetohet, por ka vlerësuar se inspektimet pas tragjedive nuk e zëvendësojnë përgjegjësinë për mosfunksionalizimin e mekanizmave të financimit.
“Mbrojtja e jetës nuk mund të presë pafundësisht”, ka përfunduar ai.


