“Pjesëmarrja e rinisë në procese vendimmarrëse” ishte tema që u diskutua në tryezën e organizuar sot në Bibliotekën e qytetit të Lipjanit në kuadër të aktiviteteve të organizuar nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti për nder të 15 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Nënkryetari i Komunës së Lipjanit, Diamant Bytyqi, njëherësh panelist i kësaj tryeze tha se të rinjtë tanë janë promotori kryesor i zhvillimit të shtetit tonë, andaj ka inkurajuar të rinjtë që të jenë sa më aktiv në iniciativat e ndryshme që ndikojnë drejtpërdrejtë në të mirën e tyre.
“Komuna e Lipjanit vazhdimisht ka mbështetur dhe po vazhdon të mbështes të rinjtë përmes iniciativave nga OJQ- të të cilat aplikojnë me projekte për realizimin e aktiviteteve të ndryshme rinore dhe përmes formave të tjera siç është realizimi i praktikës së punës me pagesë në Komunën e Lipjanit, ndarja e bursave për studentët, e mbështetje të tjera që do t’i realizojmë në vazhdimësi”, është shprehur nënkryetari Bytyqi.
Ai po ashtu ka njoftuar të rinjtë pjesëmarrës se së fundmi kanë filluar procedurat e diskutimit publik për ndërtimin e objektit të ri të shtëpisë së kulturës, ku përmes saj Komuna po mundohet të krijojë sa më shumë hapësira të përshtatshme dhe të shfrytëzueshme për të rinjtë lipjanas.
Gjatë zhvillimit të kësaj tryeze të rinjtë parashtruan pyetje të ndryshme për të tre panelistët, Nënkryetarin Diamant Bytyqi, Kryesuesin e Kuvendit Komunal Daut Azemi dhe Drejtoreshën për Kulturë, Rini dhe Sport, Anila Reçica Llugiqi, me të cilët bashkëbiseduan dhe shkëmbyen idetë e tyre për realizimin e aktiviteteve në të ardhmen.
Aktiviteti i sotëm u realizua në bashkëpunim me Organizatën Jo Qeveritare “YAHR”.



