Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi – KKSB i kryesuar nga kryetari i komunës, z.Imri Ahmeti sot ka mbajtur takimin e gjashtë të rregullt dhe të fundit për këtë vit.
Kryetari Ahmeti falënderoi të gjithë anëtarët e KKSB-së për punën dhe angazhimin e tyre gjatë gjithë vitit 2022, në veçanti për angazhimin e tyre në realizimin e aktiviteteve në kuadër të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës në baza gjinore.
Në mbledhjen e sotme anëtarët e këtij këshilli diskutuan për shumë çështje të interesit të përgjithshëm si dhe u prezantuan raportet nga Stacioni Policor në Lipjan dhe Drejtorati për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, për gjendjen e sigurisë në Komunën e Lipjanit.
Si pikë shtesë e rendit të ditës, nga përfaqësuesit e bashkësisë Islame në këtë këshill, u prezantua tema: Dhuna në familje dhe ndikimi i saj.
Nënkryetari i komunës z. Diamant Bytyqi ka njoftuar të pranishmit se pas kërkesës së anëtarëve të KKSB-së, së fundmi është bërë vendosja e policëve të shtrirë në rrugën “Haradin Bajrami”, afër shkollës fillore “Ismail Luma”. Ai po ashtu ka njoftuar edhe për marrëveshjen që Komuna e Lipjanit e ka nënshkruar me Ministrinë e Infrastrukturës, për realizimin e projektit në Janjevë në kuadër të të cilit do të bëhet rregullimi i disa rrugëve me kubëza betoni dhe ndërtimi i disa urave.


