Në sallen e Kuvendit të Komunës së Lipjanit, sot gjatë ditës është mbajtur aktiviteti sensibilizues i radhës për ndërgjegjësimin e sëmundjes së kancerit të gjirit por edhe për përkrahjen e përsonave të prekur nga kjo sëmundje.
Ky aktivitet është financuar nga Zyra Kryetarit, Imri Ahmeti dhe është organizuar nga Zyra për Barazi Gjinore dhe Grupi i Grave në Lipjan, ndërsa është relizuar nga Vizioni Rinor i Shalës dhe The Ideas Partnership.
Me këtë rast, shefi i kabinetit nga Zyra e Kryetarit Avni Jashari, ka thënë se Komuna e Lipjanit edhe me tutje do vazhdon të mbështetë Grupin e Grave me fushata të ketilla të cilat kanë për synim ngritjen e vetëdijes qytetare karshi problematikave të ndryshme shëndetësore, e po ashtu edhe diagnostikimit të hershëm të kancerit të gjirit.
Ndërsa, të pranishmëve me një fjalë rasti i’u drejtua edhe kryetarja e Grupit të Grave në Lipjan. Hyra Bytyqi, e cila tha se ky muaj është muaj kur gjithandej Kosovës organizohen aktivitete të ndryshme të cilat kanë për qëllim vetëdijesimin dhe informimin e qytetarëve rreth sëmundjes së kancerit të gjirit dhe parandalimi me kohë.
Ligjeratë dhe informatë për shkaktarët e kësaj sëmundje ka mbajtur Luljeta Reçica nga QKMF-ja në Lipjan, e cila ka njoftuar të pranishmit për simptomat e kancerit të gjirit ku ka potencuar se kanceri kurohet, mjafton të zbulohet me kohë.
Aktiviteti u përmbyll me një program kulturo – artistik në sheshin “Adem Jashari”, ku performaun nxënësit nga SHFMU “Shtjefen Gjeçovi” në Janjevë, SHFMU “Ernest Koliqi” në Babush, si dhe Gjimnazi “Ulpiana” në Lipjan.




