“Jemi në përmbyllje të konsultimeve. Do të miratohet akti për mënyrën e rregullimin e çmimeve të naftës. Paralelisht vendosim për rregullimin e çmimeve”, kanë thënë nga ky dikaster për Telegrafin.
“Nuk do të ketë nevojë të mbyllen pompat e derivateve, sepse do të marrim parasysh nevojat për operimin e bizneseve. Gjithsesi naftëtarët duhet të veprojnë sipas ligjit”.
Me këtë nuk është pajtuar Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës, e cila pas një mbledhje të mbajtur të enjten, i ka dërguar letër Qeverisë me anë të së cilës paraqitur dy kërkesa.
Ata kanë kërkuar që të vazhdohet me ekonominë e tregut të lirë njëjtë si 22 vitet paraprake dhe në pajtim me Kushtetutën e Kosovës. Por, nëse kjo nuk merret parasysh, kanë thënë se marzha duhet të caktohet: shitja me shumicë 3 për qind, ndërsa me pakicë 12 për qind.
Nëse këto kërkesa nuk merren parasysh nga ana e Qeverisë, atëherë kanë paralajmëruar se do të ndërmarrin masa, përfshirë edhe mbylljen e pikave të derivateve në tërë vendin.