Kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz tha se qeveria e tij po e shqyrton ngritjen e një sistemi antiraketor për të gjithë vendin. Sistemi i mbrojtjes raketore të Gjermanisë do të bazohet në modelin izraelit.
“Mburoja e predhave është sigurisht një nga temat që po i diskutojmë me arsye të qartë. Të gjithë duhet të përgatitemi për faktin se kemi një fqinj që aktualisht është gati ta përdorë forcën për t’i ndjekur interesat e tij”, tha kancelari gjerman për televizionin ARD .
Scholz tha se plani nuk është përfundimtar dhe se nuk mund të japë më shumë detaje rreth tij. Menjëherë pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt, kancelari gjerman njoftoi një fond special prej 100 miliardë eurosh për ta forcuar ushtrinë gjermane, përcjell Gazeta Express.
Bild shkruan se kancelari gjerman ka diskutuar të mërkurën për përdorimin e fondit me Eberhard Zorn, inspektorin e përgjithshëm të Bundeswehr-it dhe ministren e Mbrojtjes Christine Lambrecht.
Më herët Bild raportoi se Gjermania po mendon ta blejë sistemin izraelit Arrow 3. Është një sistem që kushton dy miliardë euro, shkruan gazeta gjermane. Aftësia e sistemit Arrow është të shkatërrojë raketa balistike me rreze të gjatë veprimi, por edhe të operojë në lartësi të tilla si stratosfera.


