Mosnjohja e Kosovës nga katër shtete evropiane që janë edhe pjesë NATO-s, është pengesa kryesore për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare, u tha në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kuvendin e Kosovës.
Lidhur me anëtarësimin e Kosovës në NATO, para anëtarëve të këtij komisioni raportoi të martën ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj.
Sipas tij, Ministria e Mbrojtjes ka bashkëpunim të përditshëm me NATO-n dhe objektivë e Ministrisë që udhëheq ai është anëtarësimi në NATO.
Kosova, siç tha ai, ka nënshkruar dhjetëra memorandume bashkëpunimi dhe marrëveshje të ndryshme me shtetet anëtare të NATO-s, kurse “127 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës po ndjekin studime dhe trajnime jashtë vendit”.
Megjithatë, ka hapësirë që bashkëpunimi me NATO-n të thellohet, tha Mehaj.
“Rrugën e Kosovës dhe FSK-së për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare e lehtëson një kornizë ligjore e koordinuar me partnerët tanë. Në këtë drejtim e veçoj Projektligjin për dërgimin e FSK-së jashtë vendit”, tha Mehaj.
Kosova, në bashkëpunim me forcat amerikane, ka dërguar në muajin mars një kontingjent të FSK-së në Kuvajt. Ka qenë ky misioni i parë i kësaj force jashtë Kosovës.
Gjatë raportimit të martën, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu – Shoshi, e pyeti ministrin Mehaj se cili është plani i Ministrisë së Mbrojtjes për anëtarësim në NATO, duke përmendur faktin se në bazë të rregullave dhe procedurave të NATO-s, Kosova nuk mund të anëtarësohet, pasi janë katër shtete që ende nuk e njohin pavarësinë e saj.
Spanja, Greqia, Sllovakia dhe Rumania nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur.
Lidhur me këtë, Mehaj tha se Kosova e ka të domosdoshme të ketë ambasador në NATO, por shtoi se procesi i zgjedhjes së tij nuk ka nisur.
Edhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, tha për Radion Evropa e Lirë se mosnjohja e Kosovës nga këto katër vende është pengesë për anëtarësim në NATO.
Sipas tij, hyrja në partneritetin për paqe e jep një garanci për një kohë të caktuar që Kosova mund të futet në NATO.


