Ende nuk dihet se si do të kompensohen orët e humbura për shkak të shtyrjes së procesit mësimor pas rritjes së numrit të rasteve me COVID-19.
Nga Ministria e Arsimit, në një përgjigje për Front Online, kanë thënë sende nuk është marrë vendim për kompensimin e orëve të humbura.
“Sa i përket detajeve tjera për orët e humbura dhe çështjen e pushimit dimëror do të njoftoheni me kohë”, kanë bërë të ditur nga MASHT-i, për Front Online.
Rrahman Jasharaj, kryetari i SBASHK-ut, për Front Online, tha se çështjen e kompensimit të orëve të humbura do ta diskutojnë me ministren Nagavci dhe kryesinë e kësaj sindikate.
“Lidhur me këtë çështje ende nuk kemi pasur takim me anëtarësinë dhe organet e SBASHK-ut, tërë komunikimin jemi duke e bërë për mobilizim të punëtorëve të arsimit që të vaksinohen dhe ka arrit mbi 90 % dhe mobilizimi tjetër është që ata të jenë të gatshëm për fillimin e vitit shkollor. Uroj që me të 27-tin të kalojmë nga kjo situatë dhe të fillojmë procesin mësimor nëpër shkolla e pastaj jemi të sigurt se ministrja Nagavci dhe kabineti i saj do të na thërras dhe do të bisedojmë se si dhe çfarë duhet të bëjmë për orët e humbura”, tha ai për Front Online.


