Reshjet e para të borës kanë përfshirë zonat malore të Kosovës, specifikisht Prevallën dhe Bjeshkët e Rugovës.
Përmes një njoftimi nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, drejtuesve të automjeteve u është bërë thirrje që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, veçanërisht në segmentet rrugore ku mund të krijohen ngrica, transmeton Klankosova.tv.
Ekipet e mirëmbajtjes së rrugëve janë në terren 24 orë në ditë, të gatshme për intervenim në pastrimin e borës dhe trajtimin e ngricave, varësisht nga gjendja e rrugëve.
Ndërkohë, shoferëve u rikujtohet se pajisjet dimërore janë të obligueshme nga 15 nëntori deri më 15 mars.
Po ashtu, këshillohet që para nisjes të kontrollohet gjendja e gomave, gjatë vozitjes të përshtatet shpejtësia me kushtet atmosferike dhe të mbahet distancë më e madhe ndërmjet automjeteve, duke shmangur frenimet e menjëhershme./Klankosova.tv.


