Aymeric Laporte i ka dalë në mbrojtje bashkëlojtarit të vet në ekipin kombëtar të Spanjës, Alvaro Morata, pasi kritikave që i mori ai në barazimin pa gola me Suedinë në ndeshjen e tyre hapëse në Euro 2020 të hënën.
Megjithëse e mbizotëroi kundërshtarin, Spanja nuk mundi të arrijë më shumë se një barazim pa gola në takimin e Grupit E në Sevillë, raporton Gazeta Express.
Por furia e kuqe kishte raste shënimi me bollëk, të cilat i shpërdoroi prandaj dhe u përball me kritika të shumta.
Morata e humbi mundësinë më të mirë të Spanjës në pjesën e parë, duke gjuajtur jashtë portës nga afërsia. Ai u fishkëllye nga tifozët e vet për këtë, jo për herë të parë këtë verë.
Laporta mendon se Morata do ta dëshmojë veten shumë shpejt duke e gjetur rrugën e golit.
“Të fishkëllehesh nuk është asgjë e re. Nuk mund të dyshosh në një sulmues si Alvaro, i cili ka treguar shumë”, tha Laporte.
“Është e vërtetë se ai nuk e pati një natë të suksesshme por ai do t’ua mbyllë gojën të gjithëve në ndeshjet e radhës”, shtoi ai. /Gazeta Express/


