Simone Inzaghi i ka thënë lamtumirë tifozëve të Lazios pas “22 viteve të shkëlqyeshme të tij në këtë skuadër si lojtar dhe trajner” pasi që ka marrë drejtimin e Interit
“Me emocionet më të mëdha, dëshiroj që t’i informoj të gjithë që më 30 qershor do të përfundoj aventurën e mrekullueshme me Lazion”, ka thënë ai për agjencinë Ansa.
“Dëshiroj që ta falënderoj klubin, Presidentin, lojtarët dhe tifozët të cilët më shoqëruan për këto 22 vite si lojtar dhe si trajner. Ne luftuam dhe fituam bashkë. Këto ngjyra do të mbesin gjithmonë në zemrën time. Bardhkaltërit do të mbesin gjithmonë në shpirtin tim”, transmeton deklaratën e Inzaghit GazetaExpress.
Inzaghi e ka dhënë këtë deklaratë për agjencinë e lajmeve, për shkak se Lazio nuk e ka përmendur emrin e tij kur e ka zyrtarizuar largimin. Tekniku italian filloi atje si trajner në Akademi derisa më vonë fitoi Kupën e Italisë dhe dy edicione Superkupën e Italisë.
Ai ishte paraparë për të nënshkruar zgjatjen e kontratës mbrëmë, por Interi dyfishoi pagën e tij derisa pritet që ta zyrtarizojë atë që nesër. Inzaghi nuk ka asnjë llogari në rrjetet sociale, por djali i tij Tommaso ka, dhe sot është parë duke u fyer në të nga tifozët e Lazios.
“Babi i imë e donë Lazion dhe gjithmonë do ta donë atë”, ka shkruar tinejxheri. “Po e shkruaj këtë për ata njerëz të cilët po me shkruajnë disa gjëra të papërshtatshme, e të cilat unë zakonisht i injoroj. Ai do të qëndrojë me ju edhe atëherë kur ju nuk do të jeni. Ai ka fituar për ju kur të tjerët nuk ia kanë dalë. Shumë tregime dashurie nuk përfundojnë ashtu si duhet, por dashuria që ka ndjerë ai për 20 vite do të mbetet përgjithmonë”. /GazetaExpress/


