Barcelona e ka mposhtur 3:2 Valencian në një ndeshje dramatike dhe zbavitëse të dielën, duke mbetur në binarë në luftë për titull në La Liga.
Lionel Messi shënoi dy herë dhe Antoine Griezmann një herë për t’ia fituar Barcelonës tri pikët e plota në Mestalla ndaj një Valencie kokëfortë të cilës s’i mjaftuan golat e Gabriel Paulistas dhe Carlos Solerit, raporton Gazeta Express.
Kjo është fitorja e parë e skuadrës së Ronald Koeman pas disfatës tronditëse kundër Granadës në mesjavë dhe e afron Barçën në vetëm dy pikë larg kreut të tabelës në La Liga.
Triumfi i sotëm ishte në veçanti i rëndësishëm për katalonasit sepse vjen në prag të takimit me liderin, Atletico Madrid, javën e ardhshme, i cili mund ta vendosë përfundimisht garën për titull tri ndeshje para përfundimit të sezonit 2020/21.
Pjesa e parë në Mestalla mbaroi pa gola dhe pa shumë raste të mira shënimi, me vizitorët që e kontrolluan topin duke e mbajtur shumicën e kohës në zotërim.
Por ishte Valencia ajo që e theu akullin kur Gabriel shënoi me kokë pas një rivënie nga këndi në minutën e 50-të.
Messi e barazoi rezultatin duke shënuar nga afërsia në një tollovi të krijuar në mbrojtjen vendase, pasi paraprakisht Cillesen ia priti penalltinë në minutën e 57-të.
Griezmann e kaloi Barçën në epërsi për herë të parë në këtë takim në minutën e 63, para se Messi ta dyfishonte atë me një gol mahnitës nga gjuajtja e lirë vetëm gjashtë minuta më vonë.
Soler i dha një fije shprese vendasve kur shënoi gol mbresëlënës nga largësia, por Barcelona ia doli ta ruajë epërsinë deri në fund dhe u largua nga Mestalla me pikët e plota.
Valencia ngel në mesin e tabelës me 36 pikë, gjashtë larg zonës së rënies nga liga katër ndeshje deri në përfundim të sezonit. /Gazeta Express/


